SHKODËR

Një fëmijë 5 vjeç është larguar me varkë nga Oboti deri tek rruga kryesore për Shkodër për shkak të përmbytjeve që e kanë bërë të pamundur edhe lëvizjen e mjeteve të ushtrisë.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi se vajza 5-vjeçare ka paraqitur probleme shëndetësore që prej mbrëmjes së kaluar me të vjella dhe dhimbje barku. Por për shkak të errësirës dhe stuhisë ka qenë i pamundur transportimi ndaj u bë ditën e sotme. Fëmija u dërgua në spitalin e Shkodrës ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Infermieri Vinçens Gocaj tha për gazetarin Nikshiqi se vajza ka pasur fillimisht temperaturë dhe më pas bark dhe të vjella dhe me komunikimin e mjekëve është mbajtur në banesë gjatë natës për shkak të kohës së keqe duke u përpjekur të përmirësohet gjendja por pa rezultat.

Situata në qarkun e Shkodrës paraqitet problematike për shkak të përmbytjeve. Kryebashkiakja Voltana Ademi ka bërë me dije se niveli i ujit në disa zona të qarkut është rritur për shkak edhe të reshjeve me intensitet të lartë. Mësohet se është bllokuar rruga Muriqan-Goricë, ndërsa aksi i Obotit nuk kalohet as me makina të ushtrisë.

Deri më tani 1350 ha tokë bujqësore rezulton e përmbytur (fshatrat Darragjat, Shirq, Mushan, Suka-Dajç, Belaj, Pentar).

Ademi ka bërë me dije se është bllokuar dhe rruga Darragjat-Shirq, vendi i quajtur Urrelat e Shirqit, ndërsa lartësia e ujit arrin në 130-150 cm. Ndërkohë që ka prezencë të ujit në oborret e 80 banesave, ndërsa Ademi apeloi se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe të ndërhyhet për të dhënë ndihmë për ushqime për banorët por edhe për kafshët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb