Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka vizituar Malësinë e Madhe për disa takimet me bizneset lokale dhe familjare aty.

Ajo tha se rritja e bizneseve familjare do të sjellë po ashtu rritjen e ekonomisë rajonale.

Më tej ajo theksoi se qeveria mbështet skemat e garancisë dhe nxit drejt grupimit nëpërmjet kontratave që sjellin edhe siguri si dhe cilësi.

 

NJOFTIMI NGA MINISTRIA E FINANCAVE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në kuadër të takimeve të drejtpërdrejta me bizneset, zhvilloi një vizitë në  fermën dhe fabrikën e përpunimit të produkteve të qumështit “Djathë Veleçiku”, në Malësi të Madhe.

“Djathë Veleçiku” është  një biznes familjar i ngritur para 8 vitesh, që çdo ditë fuqizohet nga pasioni. Zgjerimi i biznesit është bërë I mundur edhe nga mbështetja përmes granteve të siguruara nga qeveria shqiptare, nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Falë kësaj ndihme biznesi ka rritur kapacitetet prodhuese, ka përmirësuar teknologjinë, ka ulur kostot dhe ka investuar në përmirësimin e paketimeve të produkteve me synim për ta bërë këtë markë të njohur në tregje të tjera.

Ministrja Denaj theksoi gjatë kësaj vizite, se skemat mbështetëse të qeverisë po ndërthuren me skemat e IPARD. Këto skema kanë qënë po ashtu një garanci për financimin e shumë fermerëve që kanë marrë iniciativa të ngjashme.  Ministrja Denaj solli në vëmendje rëndësinë e grupimeve të bizneseve në të njëjtin sektor, si një garanci e shtuar për sistemin bankar dhe financimin e nevojshëm për sipërmarrjen.

“Nxitja drejt grupimit nëpërmjet kontratave rrit  sigurinë,  cilësinë, lëndën  e parë, dhe mbi të gjitha aksesin në financë më të garantuar. Ne këtë e mbështesim fort edhe me skemat e garancisë.”, u shpreh Denaj.

Ndërkohë sipas sipërmarrësit (Z. Prel Hasani), rreth 50 % e investimit është bërë në  formë bashkëpunimesh me skema mbështetëse dhe grante, të cilat janë finalizuar në investime. Kjo ka bërë, që  në vitet e fundit të rritet cilësia, sasia dhe llojshmëria e prodhimit.

Kjo sipërmarrje gjithashtu shërben si mbështetje për 40 fermerët e zonës, të cilët synojnë të rrisin numrin e krerëve të imta me qëllim rritjen e ekonomisë së zonës.

Vitet e fundit në vendin tonë është rritur ndjeshëm  numri i bizneseve të reja, sidomos ato familjare në fushën e prodhimit agroblektoral dhe agroturizëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb