Një tjetër incident i pazakontë është regjistruar në Long Island, Nju Jork, ku pesë persona janë filmuar duke hapur një pusetë dhe duke zbritur në sistemin nëntokësor të kanalizimeve. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit në zonën Wantagh, në kryqëzimin e Wantagh Avenue me Jerusalem Avenue. Në pamjet e kamerave të sigurisë, pesë personat shihen duke bashkëpunuar për të hapur kapakun e pusetës. Më pas, ata zbresin njëri pas tjetrit në rrjetin nëntokësor dhe, pasi hyjnë të gjithë, e mbyllin përsëri kapakun.
Dy dëshmitarë të incidentit njoftuan Policinë e Qarkut Nassau. Oficerët mbërritën në vendngjarje dhe kontrolluan rrjetin nëntokësor, por nuk arritën të gjenin asnjë prej pesë personave.
Rasti vjen vetëm pak ditë pas publikimit të një videoje tjetër ku tre burra u filmuan duke dalë nga një pusetë pranë Stacionit Penn në Manhattan. Në pamjet e publikuara në gusht, tre burra të veshur me rroba pune dhe me fenerë në kokë shihen duke dalë nga një pusetë në kryqëzimin e Rrugës së 32-të me Seventh Avenue, pranë Stacionit Penn dhe Madison Square Garden. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut po heton incidentin, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur për ndonjë arrestim.
Incidente të ngjashme janë raportuar edhe gjatë kësaj vere në Brooklyn dhe Queens. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që disa prej personave të kenë hyrë në rrjetin e kanalizimeve në kërkim të sendeve me vlerë që mund të kenë përfunduar aty.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim se incidentet e ndryshme janë të lidhura me njëra-tjetrën. Rastet misterioze kanë tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku personat e filmuar në këto incidente janë pagëzuar në mënyrë jozyrtare si “njerëzit e urithëve” të Nju Jorkut.
