Policia e Shtetit ka zgjeruar perimetrin e sigurisë përreth Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të zhvillohet seanca e fundit plenare, në kuadër të protestës së paralajmëruar nga qytetarët. Brenda zonës së sigurisë nuk lejohet hyrja e qytetarëve dhe as e përfaqësuesve të mediave.

Për të kufizuar aksesin, efektivët kanë vendosur gardhe metalike në pothuajse të gjitha hyrjet që të çojnë drejt Parlamentit. Bllokime janë vendosur në segmentin e Rrugës së Elbasanit, nga ku pritet të kalojnë deputetët me automjete, si edhe në hyrjen e pedonales pranë Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, qytetarët kanë nisur të grumbullohen pranë Kuvendit, ku sot zhvillohet protesta e 54-t radhazi. Demonstrata përkon me zhvillimin e seancës së fundit plenare, ndërsa protestuesit kanë ritheksuar se kërkesa e tyre e panegociueshme mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Sipas organizatorëve, protesta synon t’u dërgojë një mesazh deputetëve se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti aktual dhe kërkojnë reagim ndaj shqetësimeve të tyre.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë përsëritur sloganin “Nuk na përfaqësoni!”, duke kërkuar ndryshime politike.

“T’i tregojmë Parlamentit që nuk na përfaqësojnë dhe që nuk jemi të kënaqur me punën që ata bëjnë. Në ditët e ardhshme kemi përgatitur disa gjëra interesante,” janë shprehur aktivistët.

Edhe gjatë protestës së zhvilluar të martën para Kuvendit, qytetarët brohoritën slogane si “Parlamenti i krimit”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni”, duke paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb