16 pasagjerë të një anije turistike janë futur në “listën e zezë” të kompanisë Carnival Cruise Line, pas një përleshjeje të dhunshme që shpërtheu në Port of Miami në Florida. Incidenti ndodhi mëngjesin e së hënës, më 22 qershor, pasi anija Carnival Conquest u kthye nga një udhëtim në Bahamas. Sipas autoriteteve, përplasja fizike mes disa pasagjerëve nisi në zonën e zbarkimit dhe u përshkallëzua brenda pak minutash, duke përfshirë më shumë persona.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë përleshjen mes disa pasagjerëve, ku dy gra dyshohet se kanë nisur konfliktin, përpara se të përfshiheshin edhe persona të tjerë. Në video shihet ndërhyrja e agjentëve të U.S. Customs and Border Protection, të cilët tentuan të ndanin personat e përfshirë.

Sipas raportimeve, sherri u vu nën kontroll pas disa minutash, ndërsa deri më tani nuk janë bërë arrestime dhe arsyeja e konfliktit mbetet e paqartë. Një zëdhënës i Carnival Cruise Line konfirmoi se kompania e ka marrë seriozisht incidentin dhe ka vendosur ndalimin e përhershëm të udhëtimit për 16 personat e përfshirë, duke theksuar se sjellje të tilla nuk tolerohen. Autoritetet amerikane vijojnë të hetojnë ngjarjen, e cila ka tërhequr vëmendje të gjerë për shkak të dhunës së shfaqur në një zonë të mbikëqyrur portuale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: