Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ledian Memushaj, ka deklaruar se ishte gati t’i këndonte të dy himnet, të Italisë dhe atë të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit.

Futbollisti shqiptar emigroi vite më parë në Itali, ndërsa karrierën e ka vijuar me disa klube italiane, momente këto, që i ka treguar në një intervistë për “Rete8”.

Vlonjati kaloi një vit tek skuadra e  Beneventos,  por u kthye përsëri te Peskara, ku rrëfen edhe gëzimin që ka përjetuar kur kjo skuadër u ngjit në elitën e futbollit në Itali.

“Natën kur siguruam kalimin në Seria A, isha në grumbullim me kombëtaren në veri të Francës. Një vend i humbur dhe nuk punonte mirë as interneti. Ndeshjen e lexoja me tekst dhe po vija vërdallë në dhomë si i çmendur. Në fund u lumturova shumë, madje po e pranoj, më shpëtoi edhe një pikë loti”, u shpreh ai.

Në eliminatoret e Botërorit, ai shprehet se ishte i gatshëm të këndonte edhe himnin e Kombëtares së Italisë, pasi sipas tij, vendi fqinj i ka dhënë shumë në jetën e tij.

“Të ishte për mua do t’i këndoja të dy himnet në eliminatoret e Botërorit. Të Italisë e këndova në një moment me vete, pasi tashmë e kam mësuar”, ka shtuar mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb