Të paktën nëntë të vdekur dhe 40 të plagosur është bilanci i fundit nga shembja e një çatie kishe gjatë një pagëzimi masiv në Ciudad Madero, në shtetin Tamaulipas në Meksikën verilindore.

Një kamera sigurie ka regjistruar në fakt momentin e shembjes së çatisë së kishës.

Në fakt, nuk përjashtohet që shifra tragjike të rritet, pasi rreth 30 persona vlerësohet të jenë të bllokuar në rrënojat e kishës. Një anëtar i Kryqit të Kuq deklaroi se puna e ekipeve të shpëtimit ka përfunduar praktikisht, por shtoi se ekipe të specializuara pritet të bëjnë kërkimin “përfundimtar” të rrënojave, sipas të njëjtit burim.

Rreth 80 persona ndodheshin brenda kishës kur u shemb çatia e godinës.

Shembja ndodhi në orën 14:18 (me orën lokale – 22:18 me orën tonë), kur, ndoshta për shkak të një dështimi në ndërtim, çatia u shemb.

“Ne po jetojmë në një kohë shumë të vështirë (…) çatia e kishës u shemb gjatë kremtimit të Falënderimeve,” tha José Armando Alvarez, peshkopi i Tampico.

Guvernatori i shtetit të Tamaulipas, Américo Villarreal, iu referua një “tragjedie” duke theksuar se shërbimet e shpëtimit dhe të ndihmës së parë u mobilizuan menjëherë. “Shërbimet e sigurisë dhe të mbrojtjes civile tashmë po trajtojnë situatën (…) Ata janë në terren për të koordinuar operacionet e shpëtimit,” i shkroi ai X.

Imazhet e kapura treguan dhjetëra njerëz që përpiqeshin të mbanin një pjesë të ndërtesës së shembur duke përdorur trarë, ndërsa të tjerë kaluan nëpër rrënoja për të gjetur të mbijetuarit. Sipas gazetës Reforma, e cila citon Adrian Oseguera, kryebashkiakun e Madero, mes viktimave është të paktën një fëmijë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: