Barcelona rikthehet e vetme në krye, të paktën 24 orë përpara Real Madrid, duke vendosur nën presion ekipin e Zidane. U desh një Leo Messi në versionin e tij më të mirë për të zgjidhur sfidën kundër Bilbao, një ndeshje e cila u ndërlikua më shumë se sa pritej përballë një kundërshtari pa shumë objektiva. Baskët vendosën menjëherë nën presion Messin me shokë duke ngacmuar jo pak portierin Ter Stegen. Kjo ishte një tjetër sfidë e cila vendos në dyshim aftësitë taktike të trajnerit Quique Steien.

Ekipi i tij ka kontrollin e lojës, mbajtjen e topit por e kanë të vështirë të finalizojnë me gol volumin e madh që krijojnë. Në momentin më përcaktues të ndeshjes ai që çlirojë blaugranët ishte Ivan Rakitic. I hedhur në fushë si zëvendësues, mesfushori kroat ndoqi Messin duke i rrëmbyer një top në zonë dhe duke finalizuar me gol. Në minutat e mbetura “pleshti” dhe Ansu Fati në fund patën mundësi të dyfishonin shifrat por goli i Rakitic mjaftoi për ti dhuruar sërish kreun.

Një fitore të rëndësishme arriti dhe Atletico Madrid, e treta radhazi, që i dhuruan vendin e tretë në tabelën e klasifikimit. Ndaj Levante mjaftoi një autogol në minutën e 15-të.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb