TIRANE- Analisti Shpëtim Nazarko i bëri një rezyme gjithçkaje që ndodhi sot në sallën e Kuvendit, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, ndërsa duke ironizuar, tha se nëse parlamentarët kanë për qëllim të kënaqin publikun si në një cirk, duhet të rrahin njëri-tjetrin.

“Janë ato zënkat e vogla, mistrece të çdo jave, ku secili nga grupet ka përfaqësuesin e vetë aktiv, PD-ja ka zgjedhur Palokën dhe Nokën për të bërë këto shejtanllëqet e radhës që nuk çojnë asgjëkundi. Edhe njerëzit s’kanë ndonjë interes për t’i dëgjuar. Ata duhet ta ngrenë tensionin, që mileti të kënaqet si në cirk, maksimumi ata duhet ta ngrenë tensionin të rrahin njeri-tjetrin, por ata se kalojnë atë të enjten e zakonshme. Mund të them është temperatura 36 e gjysmë, 37, por jo 39.

Analisti dha mendimin e tij dhe vuri në pah disa prej gjërave që nuk shkojnë edhe në sistemin shëndetësor, ndonëse nuk preferoi të komentojë rastin e përgjimit të ministrit Beqaj, nga një ish-vartës.

“Mua më ka befasuar historia e Shëndetësisë, por jo më shumë tek ajo e Beqaj, se ai bëri sqarimet e veta. Për shkaqe private kam kaluar këto ditë në spital, veçanërisht në Urgjencë, kam parë një gjendje nga afër dhe mund të kenë qënë dy probleme, që janë shumë të rënda në lidhje me emërimet. Pa diskutim për mua ka bazë të vërtetës që duhet ta shikojnë palët. Hipotezohet që vendet e punës janë pothuajse të blera. Jam shumë i shqetësuar për këtë, nëse emërimet bëhen me para deri tek posti i infermieres, kjo është një pikë e zezë më keq se në Komunizëm. Në pikëpamjen praktike reforma në shëndetësi shpreh disa të meta që pata rastin ti shoh vetë këto ditë. Shkoni në urgjencën e Tiranës, po të shkosh duket sikur jemi në shtab lufte…”,- u shpreh ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: