Një gol në minutën e 93-të dhe Skënderbeu kthehet nga Shkodra buzagaz! Ekipi i Ilir Dajës, pavarësisht mungesave në ekipin e parë, ka arritur të mposhtë vendësit dhe të marrë tre pikë të arta që katapultojnë në vendin e pestë të renditjes.

Më herët korçarëve u ishte anuluar një gol, kur në minutën e 34-ët Gripshi cilësohet në pozicion të parregullt nga gjyqtari anësor, teksatë krijohet përshtypja se numri 10 i bardhekuqve është nisur në pozicion të rregullt.

Me këtë sukses, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 35 pikëve, ndërsa Vllaznia mbetet me 31 pikë.

Laçi ka vuajtur në Gjirokastër për të mposhtur Luftëtarin e parafundit. Për t’u zhbllokuar sfida duhej pritur minuta e 65-të, kur një rrëzim në zonë i Nuabuezes konsiderohet faull nga Kridens Meta, që akordon penallti për kurbinasit mes protestave të vendësve.

Golashënuesi më i mirë i kampionatit nuk gabon nga pika e bardhë dhe kalon në epërsi bardhezinjtë, të cilët gjejnë dhe golin e dytë dhe të sigurisë në minutën e 88-të, kur Nuabueze shërben saktë për Xhixhën, që nuk fal para Qyranit. Laçi ngjitet në tretë me 38 pikë, po aq sa Partizani.

Ndërkohë në “Adush Muça” të Ballshit, Bylisi vendës ka ngecur në një barazim pa gola me Flamurtarin e vendit të fundit, ndërsa momenti kulmor ka qenë në minutën e 34-ët, kur portieri Hidi godet traversën e kolegut të tij të Flamurtarit nga pika e bardhë e penalltisë. Bylis mbetet i pesti me 35 pikë, ndërsa Flamurtari mbyll renditjen me 10 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb