Kombëtarja e Shqipërisë kthehet në mars për ndeshjet e para në kualifikueset e Botërorit 2022, ndërsa deri atëherë Edi Reja merr të tjera sinjale pozitive. Sulmi kuqezi është në formë dhe kjo konfirmohet nga golat e shumtë të futbollistëve shqiptarë të shpërndarë në Europë. Armando Broja gjeti rrugën e rrjetës me Vitesse në kampionatin holandez, duke shënuar në sfidën kundër PSV Eindhoven. Ky ishte goli i tetë në 19 ndeshje për sulmuesin në Eredivisie.

Vazhdon të shënojë edhe Rey Manaj. Dy gola për futbollistin 22-vjeçar në fitoren e thellë 6-0 të Barcelona B në ndeshjen e fundit kundër Hospitalet. Ai kaloi vendasit në epërsi, ndërsa me 11-metërsh thelloi në 3-0 diferencën për katalunjasit. Pas kësaj sfide, Manaj numëron shtatë gola në 12 ndeshje.

Më parë rrugën e rrjetës kishin gjetur edhe dy sulmuesit e tjerë kuqezi. Myrto Uzuni konfirmoi formën e shkëlqyer me golin e 11-të në këtë sezon me Ferencvaros, teksa Sokol Cikalleshi ishte protagonist me dy rrjeta në përmbysjen e madhe të Konyaspor në kampionatin turk.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb