Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se vidhte makina luksoze. Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bënë me dije se pas 30 minutash ndjekjeje i riu nga Durrësi, me inicialet A. P., u kap teksa tentonte të largohej bashkë me mjetin që kishte vjedhur.

Policia Rrugore e Elbasanit, pas njoftimit të marrë se “Benz ML”, prodhim i fundit ishte vjedhur në Elbasan, tek Ura e Shkumbinit, ka organizuar patrullat që kryenin shërbim në akset rrugore dhe janë vënë në kërkim të mjetit, duke e konstatuar mjetin që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Bradasheshit, për t’u larguar në drejtim të Durrësit.

Ndonëse tentoi që t’i shpëtonte policisë, i riu u arrestua në flagrancë. 30-vjeçari në lagjen “Shënkoll”, në orët e mbrëmjes ka vjedhur mjetin tip “Benz ML”, në pronësi të shtetasit E. Ç. Gjithashtu, nga veprimet e kryera nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se ky shtetas është autor edhe i vjedhjes së automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.M., banues në Elbasan, vjedhje e ndodhur në ditët e para të këtij viti. Vijojnë veprimet në bashkëpunim me DVP Durrës e Tiranë, pasi ky shtetas dyshohet se ka vjedhur edhe disa mjete të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb