TIRANË

Gazetarja Dorjana Bezat siguron për “BalkanWeb” videon e sherrit në Yzberisht të Tiranës, ku një person u konfliktua fillimisht me një çift bashkëshortësh dhe më pas tentoi t’i shtypë me makinë.

Gazetarja Bezat raporton për “BalkanWeb” se sherri mes dy shoferëve ka nisur për një fjalë banale në timon, çka ka bërë që 39-vjeçari Taulant Mekollari të ndjekë nga pas makinën tjetër deri në Yzberisht, ku dhe ka tentuar t’i shtypë burrë e grua, ku kjo e fundit ishte dhe shtatzënë.

Në video shihet momenti kur Taulant Mekollari, i cili rezulton me precedentë penalë në fushën e lojërave të fatit dhe lëndëve narkotike, i jep gaz makinës dhe i afrohet makinës së çiftit për ta përplasur, ndërsa dëgjohen ulërimat e të afërmes së tij, që i del para makinës për ta parandaluar, por fatmirësisht tërhiqet nga një burrë dhe shpëtohet.

Menjëherë, aty afrohen njerëz të tjerë, të cilët e nxjerrin nga makina. Ndërkohë, me precedentë penalë rezulton edhe shoferi tjetër Glomir Malaj, për plagosje të lehtë me dashje.

Sherri ka nisur fillimisht me grushte dhe më pas 39-vjeçari ka hipur në makinë dhe iu është drejtuar çiftit për t’i shtypur. Pikërisht në këtë momente në vendngjarje është afruar një punonjës policie, i cili ishte jashtë orarit të punës dhe i veshur civil. Duke parë situatën e agravuar, ai ka ndërhyrë, duke neutralizuar agresorin.

Pak minuta më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e komisariatit nr. 6, të cilët kanë vënë në pranga 39-vjeçarin për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje’’. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë edhe 36-vjeçari, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb