Është mbyllur pa supriza 2019 e Premier League. Liverpool konfirmopn veten si superfuqi e kampionatit anglez, duke ruajtur serinë rekord me 18 fitore dhe vetëm 1 barazim në 19 ndeshje të luajtura. Suksesi i fundit për këtë vit, skuadra e Jurgen Klopp e siguroi duke mundur 1-0 Wolwes, në një sfidë të polemizuar dhe të vendosur nga sistemi VAR. Ishte pikërisht asistenti video i arbitrit që zyrtarizoi golin e shënuar nga Mane në limitet e pjesës së parë.

Përpara pushimit, miqtë arritën të dërgonin topin në rrjetë me Neto, por festa e tyre për golin e barazimit u shua nga një pozicion milimetrik jashtë loje i sinjalizuar vetëm nga VAR. Në pjesën e dytë, “Reds” arritën të ruanin epërsinë dhe përtej akuzave dhe polemikave që vazhdojnë, asgjë nuk mund të prishë këtë gjysmë sezoni fantastik të Jurgen Klopp dhe të besuarve të tij. Me fitore finalizon 2019 e Manchester City.

Skuadra e Pep Guardiolës mundi në shtëpi 2-0 Sheffield United. Sfida u vendos vetëm në pjesën e dytë. Aguero kaloi vendasit në epërsi në minutën e 53-të, ndërsa në të 82-ën De Bruyne vulosi suksesin e “Qytetarëve” që ruajnë vendin e tretë në klasifikim. Te fitorja është kthyer edhe Chelsea, që triumfoi 2-1 në derbin e Londrës, duke zhytur më tej në krizë Arsenalin.

“Topçinjtë” ishin pritës në këtë ndeshje dhe në pjesën e parë ndezën entuziazmin e tifozëve të tyre pas golit të epërsisë të shënuar nga Aubameyang që në minutën e 13-të. Kur vendasit prisnin të festonin, erdhi përmbysja e çmendur e Chelsea. Në katër minuta, Jorginho dhe Abraham tronidën shpresat e Arsenal duke veshur me blu derbin e kryeqytetit anglez.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb