Vllaznia dhe Partizani nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në Shkodër, në ndeshjen e Superligës.

Da Silva do realizonte në portën e ish-skuadrës së tij, në minutën e 3-të.

Akoma pa kaluar 10 minuta loja, sfida do ndizej flakë, shkodranët do fitonin një penallti me Esat Malën. Do ishte Bekim Balaj që do merrte përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë, goli i tij i parë pas rikthimit te ky ekip.

Deri në fund s’do kishte ndryshim rezultati, kryeqytetasit janë në vendin e dytë me 41 pikë, ndërsa Vllaznia renditet e katërta me 37 pikë.

Pas dy humbjeve radhazi, Tirana është takuar përsëri me fitoren. 3 pikë ndaj Laçit, një triumf 3-2 në shtëpi.

Bardheblutë do zgjidhnin ndeshjen që në pjesën e parë. Dopieta e Hasanit vendos sfidën në shinat e duhura, ndërsa goli i Lulaj bëri që ndeshja më pas mos të kishte më histori. Në pjesën e dytë, Guindo dhe Ujka do krijonin iluzione për kurbinasit, por vetëm kaq, asgjë më shumë.

Tirana kryeson kampionatin me 43 pikë. Laçi renditet në vendin e tetë me 30 pikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb