KURBIN- Një magazinë plot me drogë është zbuluar në qytetin e Mamurrasit. Në ambientin e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, janë gjetur 1450 kg bimë narkotike në proces përpunimi dhe tharjeje.

Dhjetëra forca policie kanë marrë pjesë në operacion, mes tyre Forcat Speciale nga Tirana, Forcat Operacionale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Policia ka bërë të mundur asgjësimin e lëndës narkotike me anë të djegies, ndërsa janë arrestuar në flagrancë 6 persona, dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Të arrestuar janë: Gentian Pepmarku, 20 vjeç; Artan Sallaku, 35 vjeç; Kejvin Tuga, 18 vjeç; Edmir Diva, 28 vjeç; Osman Morina, 67 vjeç; Gjelosh Vuksani, 53 vjeç; të gjithë banues në Mamurras.

Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.M. 34 vjeç, banues në Mamurras.

Po në lidhje me këtë ngjarje janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, shtetasit B.M. 51 vjeç, banues në Mamurras dhe Xh.D. 53 vjeç, banues në Mamurras me funksion elektricistë, pasi në magazinën e gjetur është konstatuar e instaluar energji elektrike dhe nga verifikimet ka rezultuar se ishte lidhje e paligjshme dhe këta 2 shtetas nuk kanë bërë verifikimet e duhura.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë të vjetër në Mamurras në pronësi të shtetasit Gjelosh Vuksani dhe që ishte marrë me qira nga shtetasi L.M.; u gjetën dhe u asgjësua me anë të djegies 1450 kg bimë e dyshuar narkotike cannabis-sattiva në proces përpunimi dhe tharjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
* 1 pushkë
* 1 granatë dore
* 1 automatik
* Fishekë
* Ventilatorë për përpunim droge, dylbi, kamera vëzhgimi, si dhe mjete të tjera elektronike në funksion të procesit të tharjes së bimëve narkotike.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: