TIRANË

Vijon prej 17 orësh zjarri në magazinën e një qendre tregtare në Tiranë, ndërkohë që zjarrfikësit nuk kanë mundur ende të shuajnë flakët në katin e nëndheshëm.

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se zjarri rrezikon dhe pjesë të katit të parë, sepse në pjesën përbri ku ndodhet magazina, ndodhen dhe subjekte të tjera tregtare.

“Punonjësit zjarrfikës pajisen me pajisje të posaçme për të vijuar kërkimet në katin -1 për gjetjen e 33-vjeçarit, për të cilin nuk dihet asgjë prej ditës së djeshme. Magazina në katin -1 është një magazinë shumë e madhe, që ka mbajtur gjithçka që tregtohet në qendrën tregtare, veshmbathje këpucë, duke e bërë më të lehtë zjarrin dhe më të vështirë shuarjen.
Familjarët e 33-vjeçarit kanë bërë apel të fortë shtetit për gjetjen e të riut dhe kanë hedhur dhe akuza ndaj punonjësve të zjarrfikëses që sipas tyre nuk kanë bërë punën e duhur, kanë pasur mungesa në pajime çka u ka bërë të pamundur ndërhyrjen”, raportoi Skëndaj.

Ai tha më tej se nuk ka asnjë komunikim nga autoritet apo drejtuesit e repartit zjarrfikës se çfarë po bëhet aktualisht me operacionin.
“Tymi është i pranishëm në pjesën anësore të qendrës tregtare, janë 4-5 autobote uji dhe rreth 50 forca zjarrfikëse në vendngjarje”, raportoi Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb