Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e mbështetjes së ish- kryeministrit hungarez Viktor Orbán për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjen e pasardhësit të António Guterres.

Sipas një raportimi që i atribuohet gazetës amerikane “The Wall Street Journal”, Uashingtoni po shqyrton mundësinë që Orbán të paraqitet si kandidat me mbështetjen e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Zyrtarët amerikanë, sipas këtij raportimi, vlerësojnë se kryeministri hungarez mund të sigurojë nga 8 deri në 10 vota në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, organi që luan një rol vendimtar në përzgjedhjen e drejtuesit të organizatës.

Për të marrë rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, një kandidat duhet të sigurojë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm: Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo do të thotë se, edhe nëse Orbán do të siguronte mbështetjen e Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit, kundërshtimi përmes vetos nga Franca ose Mbretëria e Bashkuar do ta pengonte kandidaturën e tij.

Mandati i Sekretarit aktual të Përgjithshëm, António Guterres, përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa pasardhësi i tij pritet të marrë detyrën më 1 janar 2027.

Deri tani, informacioni i paraqitur nuk përbën konfirmim zyrtar të kandidaturës së Orbánit apo të një marrëveshjeje mes tri fuqive për mbështetjen e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb