SHKODER- Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Shkodër, u takua me një grup nxënësish, mësuesish dhe prindër të shkollës “Azem Hajdari” në lagjen Kiras, dhe “Salo Halili” në lagjen Ndërgut të qytetit të Shkodrës.

Bushati dhuroi çanta me mjetet mësimore të nevojshme në këtë vit shkollor për 500 nxënës të këtyre dy shkollave.

Urimin më të mirë për një vit të mbarë shkollor, Bushati e ka përcjellë për fëmijët nëpërmjet një letre personale për secilin me “porositë”, për të mësuar dhe për t’u bërë të denjë për veten dhe shoqërinë.

Duke i uruar suksese për këtë vit shkollor, Bushati shprehet se duke mësuar “mund të bëhesh çfarë të duash kur të rritesh”. “Mjafton të mësosh mirë, të sillesh mirë duke dëgjuar fjalën e mësuesve, të prindërve dhe të respektosh shokët e shoqet”, thuhet në letrën e ministrit.

LETRA E PLOTË E URIMIT TË MINISTRIT BUSHATI
Përmes kësaj letre dëshiroj të të uroj suksese për këtë vit shkollor që po fillon. Në shkollë do të mësosh gjëra të reja dhe të vlefshme. Do të mësosh të shkruash, të flasësh, e të dish më shumë mbi gjithçka të rrethon. Edhe nëse ndonjë lëndë mund të duket e vështirë mos u dorëzo, por përpiqu përsëri sepse në fund jam i bindur se do ja dalësh. Në këtë mënyrë do t’i krijosh mundësitë vetes që të bëhesh çfarë të duash kur të rritesh. Mjafton të mësosh mirë, të sillesh mirë duke dëgjuar fjalën e mësuesve, të prindërve dhe të respektosh shokët e shoqet.
Të uroj shumë suksese,
Ditmir Bushati”

Sakaq, 190 mijë fëmijë, në të gjithë vendin, do të pajisjen me të gjithë librat e nevojshëm shkollorë falas. Ndërkohë që rreth 400 mijë nxënës në të gjithë vendin studiojnë me tekstet me standarde ndërkombëtare të “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”.

(BalkanWeb)