TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka vizituar mbrëmjen e sotme shërbimin e Urgjencës në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, ku ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim me mjekët e turnit të mbrëmjes mbi kushtet dhe shërbimin e ofruar në spital.

Kryeministri Rama nuk ka lënë edhe batutat gjatë bashkëbisedimit me bluzat e bardha. Ndërsa një nga mjekët po fliste për kushtet dhe krevatët e rinj falë qeverisë, Rama ia ktheu: “Ca Rilindje, me krevatet e luftës së dytë botërore”.

Ndërkohë një nga mjekët reanimatorë u shpreh se për ata është pak më e vështirë pasi duhet të jenë shef në shtëpi.

“Çfarë shef, shef është gruaja në shtëpi”- ia ktheu Rama.

Rama diskutoi edhe me një specializante, ndërsa theksoi se tashmë sistemi i përzgjedhjes së Specializantëve të Mjekësisë ka ndryshuar dhe askush nuk përmend më fjalën ‘korrupsion’.

Rama-specializantes: Ti ke qenë nga ata që ishin me ‘fat’ tek Specializimet, pasi kishte dhe nga ata që nuk fituan për shkak të renditjes së zgjedhjeve. Unë i prita disa prej tyre, por më bëri përshtypje se nuk tha njeri fjalën ‘korrupsion’. Pavarësisht gjithë stresit, se u mësuan pa strese për vite me radhë, boll ta donin godinën ku futeshin dhe s’kishte rëndësi kush ishe. Po të shikosh auditorët e universiteteve, shikon kush është në këtë auditor, notat. Kjo tregon se ka hyrë kush ka meritë. Duhet të rrisim rrogën që të shkosh në Tropojë (I drejtohet specializantes).
Ndërhyn mjeku- E ka në Korçë.

Rama-specializantes: Pse je nga Korça?
Specializantja: Jo nga Pogradeci.
Gjatë bashkëbisedimit kryeministri pyet mjekët e pranishëm që ishin veshur me uniformë të kuqe se të cilit sektor ishin. Ndërkohë, drejtori i këtij spitali, Perlat Kapisyzi i shpjegoi Ramës se ata ishin “RENEA” e Sanatoriumit.

“Këto janë RENEA e sanatoriumit. Bëjnë dhe ndërhyrjen e parë.”, tha Kapisyzi.

Rama nuk nguroi të pyeste mjekët lidhur me perceptimin sa i takon thënien “Ju merrni lekë”, ndërsa një mjeke i përgjigjet se për këtë ndihen keq. “Ndihemi keq. Pacienti vjen i axhituar, i tensionuar dhe habitet kur sheh spitalin. Vjen direkt tek ne dhe do të vizohet pa rekomandimin e mjekut, i kalon ato hallka”, thekson ajo.

Mes të tjerash kreu i ekzekutivit nuk kursen as barsoletat: “Ju tregon një barsoletë me njërin që vjen në spital. Dilte në ballkon dhe thoshte dil o erë në gjoksin e beqarit, se s’ka ça më bën veremi. E më pas del me batanije tek dera dhe thotë: Po ç’bërë moj erë, more viktimë…”, pohon mes të qeshurash Rama, ndërsa mbyll fjalën e tij duke shtuar se “Ka dhe nga ata që jua kanë baltosur punën dhe bluzën e bardhë. Por gjërat kanë ndryshuar. Po të pyesësh njerëzit që e provojnë spitalet, shumica më mirë mos ardhshin kurrë dhe të shajnë qeverinë sesa të kenë probleme me shëndetin”. [fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154605438916523/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]
(d.d/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb