VLORE- Arrestohet nje nga autorët e vjedhjes me armë që ndodhi sot në zonën e Skelës në Vlorë, ku pre ra një autobus i linjës “Itali-Vlorë”. Burime zyrtare nga policia thane se ne pranga ra Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

Të njëjtat burime sqarojnë se policia ka identifkuar dhe autorin e dytë ku ende vijon ndjekja për kapjen tij. Ndërkohë është shoqëruar edhe një person i tretë dhe po punohet nëse është i përfshirë ose jo në ngjarjen e ndodhur.

Po ashtu janë sekuestruar dy automjete dhe dy armë zjarri kallashnikovë të përdorura nga autorët. Për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë angazhuar rreth 70 forca policore të përbëra nga shërbimet e Komisariatit, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Forcat Operacionale FNSH të Fierit. Për ndjekjen e autorëve po përdoret edhe qeni i gjurmës.

NGJARJA
Sot rreth orës 09:05, në zonën e ‘Skelës’ pranë stadiumit “Flamurtari”, 3 persona dyshohet të maskuar kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e autobusit të linjës “Itali-Vlorë”, si dhe disa nga pasagjerët e mjetit. Autorët e ngjarjes pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete. Por pas tentativës për t’iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre, autorët kanë braktisur mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për t’u fshehur në pyll.

Pas një ndjekje për rreth 30 minuta, Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, u kap në kodrat e Panajasë. Ndërkohë Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre. Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Policia vijon veprimet proceduriale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Operacioni vazhdon për kapjen e autorëve të tjerë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb