Tamara Ecclestone ka ofruar një shpërblim prej 6 milionë paund, mbi 7 milionë euro, për ata që do ta ndihmojnë të rikuperojë bizhuteritë e vjedhura. Vajza e ish-shefit të Formula 1, Bernie, në dhjetor të 2019 iu plaçkit shtëpia dhe iu morën sende të çmuara me vlerë 25 milionë paund (30 milionë euro). Trashëgimtarja 38-vjeçare ishte me pushime në Lapland me burrin, vajzën dhe qenin e saj, kur rezidenca e saj me 57 dhoma në Kensington, lagjen më të pasur të Londrës, u plaçkit.
Tamara, për Corriere della Sera, rrëfeu se ishte e tmerruar dhe e fiksuar pas atij episodi. “Mendimi i atyre njerëzve të neveritshëm – tha ai – që rrëmojnë në çdo dhomë të shtëpisë sime, që pushtojnë shtëpinë time, prekin pasuritë e mia dhe vjedhin disa nga gjërat më të çmuara për mua, do të thotë se nuk do të mund të pushoj kurrë në atë shtëpi me të njëjtën ndjenjë sigurie që kisha më parë”.

Tashmë, pasi ka “pritur mjaftueshëm” për ta zgjidhur çështjen, Tamara ka njoftuar përmes Instagramit se “po shkon në stilin e Mel Gibson si në filmin Ransom”. “Nëse ju jeni burimi i informacionit, ju merrni shpërblimin. Është e thjeshtë,” shpjegoi ajo. Në realitet, autorët e vjedhjes, më e rënda e kryer ndonjëherë në një shtëpi private në Britaninë e Madhe, u arrestuan dhe u dënuan nëntorin e kaluar me një dënim total prej 28 vitesh burg. Ata janë tre italianë, Jugosllav Jovanoviç, Alessandro Maltese dhe Alessandro Donati. Policia britanike beson se banda ishte përgjegjëse për sulme të ngjashme në të gjithë Evropën kundër njerëzve të profilit të lartë.

Mirëpo, kreu i bandës, serbi Daniel Vukovic, ka arritur të arratiset në Beograd dhe deri më tani autoritetet lokale kanë refuzuar ta ekstradojnë atë në Londër. Serbi, objekt i një gjuetie ndërkombëtare, përdori 19 identitete të rreme, nga Daniel Vukovic te Ljubomir Romanov te Alfredo Lindley te Ljubomir Radosavlejic.

Tamara Ecclestone gjithashtu ka ofruar 250,000 £ për këdo që do të ndihmojë për ta sjellë atë para drejtësisë. Nga mallrat e mëdha të vjedhura, deri më tani janë gjetur vetëm një palë vathë me vlerë 6 mijë paund, të sekuestruara në janar 2020 nga një prostitutë rumune, në aeroportin Stansted.

(Tgcom24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb