Nga AURORA KOROMANI*

Në rrugën “Arben Minga” pranë spitalit të Pediatrisë në QSUT, nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar për shpërthimin e fuqishëm në banesën e efektivit të policisë, Alfred Nomani. Të gjithë banorët e kësaj rruge janë ngritur të frikësuar nga zhurma e madhe e sasisë së lëndës eksplozive që ka shpërthyer mëngjesin e së martës në banesën e ish-shefit të Komisariatit Nr.3 në Tiranë, i cili aktualisht mban postin si shef i Krimeve të Rënda në Korçë. Por, më të tronditur janë banorët e pallatit ku banon Nomani, të cilët përveç frikës, duhet që të paguajnë tashmë edhe dëmet që iu janë shkaktuar nga shpërthimi i ndodhur rreth orës 03:50 të ditës së djeshme. Pallati ku jeton Nomani me familjen e tij është i vjetër dhe për këtë arsye pasojat e shpërthimit janë ndier pothuajse në të pesta katet e tij. Dëmet më të mëdha i kanë pësuar banorët që banojnë në katet më afër shpërthimit, duke nisur nga kati i katërt dhe deri në katin e pestë, aty ku banon edhe efektivi i policisë, të cilëve iu janë dëmtuar dyert e apartamenteve të tyre.

Në banesën e efektivit
Në katin e fundit të pallatit, ku ishte vendosur edhe eksplozivi, jeton prej disa kohësh ish-shefi i Komisariatit Nr.3 të Policisë së Tiranës, Alfred Nomani, aktualisht shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Korçës. Në vendin ku ishte vendosur sasia e dyshuar prej afro 400 gramësh lëndë eksplozive muri i banesës kishte rënë plotësisht, ndërsa në vend të derës kryesore ishte vendosur një qese plastmasi. Të vetmit që ndodhen në sheshpushimin e pallatit janë tre ustallarë që po merren me riparimin e pallatit pas shpërthimit, ndërsa në banesë nuk ka njeri. I vetmi që di diçka për fatin e familjes së Nomanit është vjehrri i tij, i cili banon një kat më poshtë efektivit. Edhe dera e tij është dëmtuar, si dhe xhamat e dritareve të dhomave nga fuqia e shpërthimit. Nga vjehrri i Nomanit, mësojmë se ai vetë ndodhet me specializim në SHBA dhe se nuk ka dijeni për ngjarjen, ndërsa vajza e tij ndodhet në Shkodër. “Alfredi është në Amerikë me një specializim dhe nuk i kemi treguar gjë për shpërthimin, ndërsa vajza jonë është në Shkodër. Edhe ne atje ishim, por sa e morëm vesh erdhëm dhe gjetëm këtë që është bërë këtu. Kemi dyshime se kjo ka lidhje me punën e Fredit si komisar policie, por asgjë të saktë nuk dimë”, – pohon për “Gazeta Shqiptare”, vjehrri i shefit të Krimeve të Rënda në Korçë Alfred Nomani, i cili edhe më parë ka qenë pjesë e sulmeve për shkak të detyrës së tij.

Komshinjtë
Në katin e katërt të pallatit gjejmë Dinen. E pyesim nëse eksplozivi ishte vendosur në derën përballë tij, për shkak të dëmeve të mëdha që janë shkaktuar në banesat e tyre. Dyert janë hedhur në tokë, muret e shkallëve janë rrënuar, ndërkohë që ustallarët kanë nisur punën për meremetimin e mureve. “Po këndoj se nuk qaj dot. E shikoni si është bërë? Kandahar! Si i thonë asaj fjalës, me të thatin digjet edhe i njomi. Jo se kam gjë me efektivin, por siç e shikoni unë jam i varfër, tani duhet të paguaj të gjitha dëmet që më janë shkaktuar”, – pohon ai. “U zgjuam të alarmuar nga ora katër, kujtuam se çfarë ndodhi. Me vrap shkova te dhoma e motrës dhe pashë nëse ishte mirë. U trembëm shumë”, vijon më tej Dinia, banori i katit të katërt në pallatin ku banon Alfred Nomani, i dyshuari si objekti i sulmit me eksploziv.

Nomanit, në vitin 2013 i lyen murin me benzinë
Shpërthimi i djeshëm në banesën e efektivit të policisë Alfred Nomani, nuk ishte sulmi i parë që bëhet ndaj tij. Kjo, pasi në gusht të vitit 2013, kur Nomani ishte në krye të Komisariatit Nr.3 në kryeqytet, një tjetër sulm ka ndodhur ndaj tij. Në atë kohë, Policia e Tiranës në mënyrë jozyrtare njoftoi se persona të paidentifikuar i vunë flakën banesës së efektivit të policisë, pasi kishin lyer me benzinë murin e korridorit të jashtëm të banesës. Edhe gjatë sulmit të parë, në banesën e punonjësit të uniformave blu, i cili aktualisht mban detyrën si shef i Krimeve të Rënda në qytetin e Korçës, pati vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar, pasi Nomani dhe familja e tij ndodheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas ngjarjes së vitit 2013, hetimet u përqendruan te detyra që mbante Nomani si shef policie në Komisariatin Nr.3 në kryeqytet.

(Botuar sot, në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb