Teksa sot shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese padia e 28 deputetëve të PD për VKM-në për ndërtimet pa leje, dy precedentë të mëparshëm hedhin poshtë pretendimet e përfaqësuesve ligjor të qeverisë.

Seanca e kaluar u shty sepse qeveria pretendoi se dy prej 28 firmëtarëve të padisë nuk janë më deputetë, duke iu referuar Grida Dumës dhe Alfred Rushaj. Por për palën paditëse ky pretendim nuk është legjitim pasi në kohën kur është depozituar padia ata kanë qenë deputetë.

Ndërkohë janë disa precedentë ku Gjykata Kushtetuese ka vepruar para fakteve të njëjta.
Në vitin 2008 ka qenë PS-ja e cila ka qenë ankuese në Gjykatën Kushtetuese dhe është një çështje që ka marrë zgjidhje.

Në rastin e shqyrtimit të një kërkese nga një grup prej 30 deputetësh të Partisë Socialiste, lidhur me shfuqizimin si antikushtetues të vendimit nr.190, datë 16.06.2008 të Kuvendit të Shqipërisë, kërkesa ishte depozituar në vitin 2008, ndërsa vendimi është marrë në 21.10.2009 (vendimi nr.29, datë 21.10.2009 të Gjykatës Kushtetuese).

Kjo do të thotë se megjithëse të gjithë deputetëve nënshkrues iu kishte përfunduar mandati në kohën e marrjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar pozitivisht legjitimitetin e kërkuesve.

Një tjetër rast që mund të sillet në vëmendje nga praktika e Gjykatës Kushtetuese është vendimi nr.55, datë 09.06.2021 i Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, i përcjellë në Gjykatën Kushtetuese në datën 14.06.2021. Për këtë çështje u zhvilluan tre seanca gjyqësore në datat 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 dhe u mor vendimi nr.1, datë 16.02.2022 në një kohë kur të gjithë deputetëve që kishin marrë vendimin nr.55, datë 09.06.2021 u kishte mbaruar mandati në 10 shtator 2021.

Madje, ky pretendim u ngrit nga përfaqësuesit e Presidentit, si mungesë legjitimimi substancial dhe u rrëzua nga Gjykata duke iu referuar parimit të vazhdimësisë funksionale të organit kushtetues, duke mos e lidhur kohëzgjatjen e akteve të ndërmarra në ushtrim të detyrës, me kohëzgjatjen e mandatit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb