Xhevahir Sukaj është një nga lojtarët më të mirë të dy dekadave të fundit që ka luajtur me Vllazninë dhe Partizanin. Ishsulmuesi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon rreth eksperiencave më të dyja klubet dhe asaj që dy skuadrat kanë treguar këtë sezon. Sipas tij, Vllaznia luan një futboll të bukur pavarësisht luhatjeve, ndërsa Partizani është dobësuar me largimin e Skukës dhe Bitrit. Nuk mund të mungonte një “thumb” i shkodranit ndaj Tiranës, të cilën e ka pasur një nga “pretë” e preferuara të tij.

Keni luajtur me të dyja klubet, me cilën mes Vllaznisë dhe Partizanit keni ruajtur kujtimet më të mëdha?

Jam krenar që kam veshur këto dy fanella. Kujtimet më të mëdha i kam kaluar në ekipin ku u rrita, Vllaznia. Nuk diskutohet kjo, pasi ai është ekipi “mëmë”, që më mësoi të luaj futboll. Me Partizanin gjithashtu kam kaluar një eksperiencë shumë të bukur dhe kam përjetuar momente shumë të veçanta, të cilat i kuptojnë vetëm ata që e kanë veshur atë fanellë.

Cila ka qenë një skuadër, së cilës keni dashur më së shumti t’i shënonit?

Një sulmues nuk bën dallime, kërkon t’u shënojë të gjitha skuadrave dhe të ndihmojë ekipin e tij të marrë pikët apo të kalojë në raundin tjetër të një kompeticioni. Por ekipit që i shënoja sa herë të doja ishte Tirana.

Partizanit i janë larguar Bitri dhe Skuka, dy lojtarë kryesorë. Mendoni se janë ende të aftë “demat” për të sulmuar titullin?

Nuk di të them, sepse janë dy lojtarë, të cilët me atë që jepnin në fushën e lojës ishin sa gjysma e ekipit. Nuk zëvendësohen kollaj dy liderë të tillë të ekipit. Ky proces kërkon kohë dhe kjo e fundit nuk është në favor të Partizanit. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb