Janë zhvilluar këtë të diel ndeshjet e para gjysmëfinale të fazës “Final 4” në kampionatin kombëtar të vajzave, duke dhuruar emocione dhe rivalitet të fortë në garën për titullin kampion.

Në përballjen e luajtur në Arbanë, Vllaznia triumfoi minimalisht 1-0 ndaj Gramshit, duke marrë një avantazh të rëndësishëm përpara sfidës së kthimit.

Shkodranet konfirmuan edhe njëherë eksperiencën dhe forcën e tyre në këtë fazë të sezonit, ndërsa Gramshi mbetet ende në garë dhe do të kërkojë përmbysjen në takimin e dytë.

Ndërkohë, në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta dhe Apolonia barazuan 1-1 në një ndeshje të luftuar deri në fund. Dueli mbetet plotësisht i hapur për sfidën e kthimit, ku do të përcaktohet skuadra finaliste.

Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve janë planifikuar më 23 maj. Sipas rregullores, në rast barazimi pas dy takimeve, në finale do të kualifikohet skuadra e renditur më mirë në kampionat.

Finalja e madhe e kampionatit të vajzave do të zhvillohet më 29 maj, në ora 17:00, në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa një ditë më parë do të luhet edhe ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb