Mes Kupës dhe kampionatit, futbolli shqiptar futet në fazën e nxehtë, me pjesën më të madhe të klubeve që brenda pak ditësh luajnë objektivat e gjithë sezonit.

Pikërisht, Kupa e Shqipërisë është kthyer në prioritet, një trofe që edhe këtë sezon shihet si “barka” e fundit e shpëtimit. Shpëtim Duro, trajneri i mirënjohur, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi katër sfidat e vlefshme për fazën çerekfinale, kush do të kalojë më tej?

Duro foli për favoritët, ndërsa analizoi mbi të gjitha dy ekipet e kryeqytetit, Dinamon dhe Partizanin, për të dy ekipet kjo shihet si një sfidë “jetë a vdekje”. Tekniku kryeqytetas analizoi edhe javën e 19-të të Abissnet Superiore dhe çfarë pret në vijim.

 

Llogaritë mes Kampionatit dhe Kupës – “Kampionati është aktivitet i gjatë që nis në gusht e mbaron në maj. Ndërsa Kupën mund të mos ta fitojë detyrimisht skuadra më e mirë, mund ta fitojë edhe një skuadër nga kategoria e dytë për vetë specifikat që ka.

Në këto momente është shumë e rëndësishme për shumë skuadra se është objektiv pas kampionatit, janë skuadra që kanë dalë nga lufta për fitimin e Kupës si Tirana e Kukësi, por janë shumë skuadra që e kanë të rëndësishme për ecurinë në vazhdim si Partizani, Dinamo, Vllaznia e Laçi. Pra është një objektiv shumë i rëndësishëm pas kampionatit që mund të arrihet me 2-3 ndeshje.

Kupa – Te ne nuk ka nënvlerësim të Kupës se janë pak skuadra që dalin në Europë. Por ka qëlluar që këtë vit Tirana u eliminua nga Dinamo, nuk e vlerësoi ndeshjen e parë. Ndeshjet me sistem eliminimi janë shumë të vështira e duhet të jesh i përqendruar në të dyja.

Tirana reagoi por u mund me penallti. Nuk është se skuadrat si ajo e Kukësi kanë hequr dorë, por duhet përqendrim në ndeshje, se me dy ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Këto skuadra janë shumë të rëndësishme se u digjet pothuajse i gjithë sezoni.

Partizani dhe Vllaznia – Në fillim të sezonit e kam thënë që shihja personalisht Vllazninë për titull, Laçin dhe Partizanin, duke hequr Tiranën që nuk ishte në Europë, që këto tre do ishin për kampion.

Partizani me Vllazninë lanë për të dëshiruar sa i përket ecurisë deri tani, kanë hequr mundësitë dhe objektiv është Kupa. Kurse Laçi është në të njëjtën situatë si në sezonin e kaluar. Partizani, të gjitha forcat t’i përqendrojë te ndeshja e ditës së enjte, ashtu si Dinamo.

Dinamo – I kam ndjekur ndryshimet te Dinamo sa i përket kontingjentit, ka përmirësim shumë nga janari në lojë por i ka munguar fati. Edhe me Kastriotin ishte dominues 60 minuta por nuk shënoi. Kur nuk shënon, edhe goditesh. Ka rritje për mënyrën e organikës, ka patur ca dëmtime, rezultati i ndeshjes së parë është barazim, them që çdo gjë është e mundur, e hapur, 50 me 50. Edhe Partizani është i qetë pas fitores me Teutën. Kisha mendimin që Shkëmbi duhej të qëndronte edhe në këtë ndeshje.

Balancat – Ne e kemi ndjerë në kurriz vetë se nëse Partizani eliminohet, është prishje e balancës, prish balancat e kampionatit për Partizanin se do të dalë nga çdo objektiv dhe një skuadër si Partizani që ka investuar jashtëzakonisht shumë, si në periudhën e vërës dhe dimrit, është ekipi më i shtrenjtë, të dalë nga çdo lloj objektivi është goditje jashtëzakonisht e rëndë për klubin. Për Dinamon do ishte sukses, i jep edhe moral për luftën që ka për mbijetesë në vazhdim.

Derbi – Them që humbje e madhe do të jetë më shumë për Partizanin se Dinamo ka vite që nuk ka qenë në Superiore, është viti i parë me një president të ri. Për Partizanin mosmarrja pjesë do të jetë një goditje e madhe se qysh se ka ardhur z. Demi është rregullisht në çdo vit pjesëmarrës në Europë dhe është shpallur një herë kampion. Duke qenë rregullisht në Europë është një humbje shumë e madhe edhe për investimet e jashtëzakonshme që kanë bërë këtë sezon”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb