VLORE- Dy rastet e orëve të para të kësaj të mërkure, ku dy banesa u sulmuan me tritol, në Vlorë i shtohen ngjarjeve të përsëritura në këtë qytet. Makinat, bizneset, dhe shtëpitë e personave të ndryshëm, përfshi këtu edhe biznesmenë janë bërë vazhdimisht shënjestër e sulmeve të tilla. Në vetëm katër muaj, raportohen të kenë ndodhur tetë shpërthime me tritol, autorët e të cilëve nuk janë gjetur kurrë nga policia. “BalkanWeb” sjell një përmbledhje të ngjarjeve përgjatë 2018-ës, të cilat ndonëse nuk kanë shënuar viktima, kanë lënë pas, mister, panik e dëme të shumta materiale.

2 MAJ 2018/ DY SHPËRTHIME ME TRITOL NË BANESAT E DY VLONJATËVE
Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 02:30 në lagjen “Lirim”, ku i është vendosur tritol derës së banesës së shtetasit Fatjon Bana, 30 vjeç. Banesa ndodhet pranë Komisariatit. Ndërkohë shpërthimi i dytë ka ndodhur një orë më vonë, rreth orës 03:30, në lagjen “15 Tetori”, pranë portës së banesës së shtetasit G.Ç., 69 vjeç. Banesa e tij ndodhet pranë bashkisë së qytetit.

9 PRILL 2018/ TRITOL MJETIT “AUDI Q7” TË BIZNESMENIT TË NDËRTIMIT
Mjeti tip “Audi Q7” i biznesmenit të ndërtimit I Shehu 38-vjeç në Vlorë shpërthen me tritol. Ngjarja ndodhi më 9 prill të vitit 2018 në lagjen “1 Maji”, para banesës së biznesmenit. Policia e Vlorës bëri me dije se sasia e lëndës eksplozive që iu vendos automjetit “Audi Q7” ka qenë rreth 200 gramë.

7 PRILL 2018/ NJË TË RIU NË VLORË I DIGJET “BMW” SERIA 7 NË OBORR
Një automjet luksoz tip “BMW” Seria 7 u dogj totalisht në orët e para të 7 prillit në lagjen ‘4 Heronjtë’ të qytetit të Vlorës. Mjeti ishte i parkuar në oborrin e shtëpisë së shtetasit Everest Meçorapaj, 27 vjeç. Policia thotë se mjeti është djegur totalisht, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët e këtij akti. Paraprakisht pronari i mjetit ka deklaruar para forcave të policisë se nuk kishte dijeni se kush mund të ishin autorët dhe se nuk kishte konflikte me njeri.

2 SHKURT 2018/ TRITOL MAKINËS NË FSHATIN KANINË
Një makinë është hedhur në erë me eksploziv mbrëmjen e 2 shkurtit në fshatin Kaninë. Makina tip ‘Benz’ ishte në pronësi të Ilirjan Yzeirajt. Mjeti ka qenë i parkuar pranë banesës së Ilirjan Yzeirajt, ndërsa është dëmtuar pothuajse totalisht.

19 SHKURT 2018/ SHPËRTHIM NË NJË DYQAN NË FSHATIN KANINË
Mbrëmjen e 19 Shkurtit 2018 një shpërthim me eksploziv ka ndoshur në një dyqan në fshatin Kaninë në Vlorë. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar qepeni dhe xhamat e derës së banakut të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit F.Y., 44 vjeç, banues në Kaninë.

24 JANAR 2018/ TRITOL NË MJETIN TIP “AUDI” TË BIZNESMENIT SOKRAT BEQIRAJ
Biznesmenit Sokrat Beqiraj i vendosin tritol në mjetin tip “Audi”. Ngjarja në fjalë u regjistrua në lagjen “10 Korriku”. Policia sqaroi se se eksplozivi ishte vendosur me fitil, dhe ka shkuar dëmtime në pjesën e përparme të automjetit. Sokrat Beqiraj kishte një biznes privat, ndërsa pista e konkurrencës është hedhur poshtë nga policia. Thuhet se kjo ngjarje ishte thjesht një mesazh nga autorët. Sakaq, policia po heton rreth identifikimit dhe kapjen e autorëve.

6 JANAR 2018/ SHPËRTHIM ME TRITOL NË NJË MOBILIERI
Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur mbrëmjen e 6 Janarit në një ndërtesë që më parë ka shërbyer si mobilieri në qytetin e Vlorës. Shpërthimi ka ndodhur në lagjen “Lef Sallata” dhe ka vetëm dëme materiale. Menjëherë pranë vendit të ngjarjes janë dërguar shërbimet policore ku kanë konstatuar se në derën e jashtme të një objekti bosh ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive. Prej shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në pjesën e jashtme të objektit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: