Një tjetër person është ndaluar nga policia e Përmetit në lidhje me grabitjen e një shumë të madhe parash në një banesë. Ngjarja ndodhi në banesën e 63-vjeçarit Koç Proka, ku një 36-vjeçare në bashkëpunim me të tjerë vodhi 75 mijë euro.

Për ngjarjen u arrestua 36-vjeçarja me inicialet O.Shabanin, banuese në Përmet, ndërsa u shpall në kërkim Paulin Peçi, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes me dhunë.

NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Përmet, ku një 63-vjeçari i vodhën 75 000 euro në banesën e tij, ngjarje për të cilën u ndalua si autore e dyshuar shtetasja O. Sh. dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet ka lëshuar urdhrin e ndalimit për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Përmet, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet ndaluan shtetasin E. P., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë vjedhje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 aparate celularë dhe disa fishekë luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb