Vogëlushet e Artan Mërgjyshit bëjnë me dhimbje koke kuksianët që e kishin të pamundur të pranonin idenë se Apolonia arriti sërish ti hiqte dy pikë. As 6 minutat shtesë nuk kënaqën egon e verilindore për të shënuar golin e fitores, një fund i tensionuar, ku ishte e vështirë të përcaktoje se kush humbi realisht në këtë takim.
Pas 4 muaj letargji Apolonia rikthehet të bëjë të madhen, por për ironi të fatit janë dy 18-vjeçar ata të cilët shkëlqejnë. Fili dhe Uzuni dhurojnë show në pjesën e parë duke përfituar në maksimum nga një përgjumje totale e skuadrës së Kukësit.
Në minutën e 11-të Fili me një aksion personal realizon një gol shumë të bukur edhe më e veçantë ishte mënyra e festimit. Me vetëm 4 gola të realizuara në 23 javë, Apolonisë iu mjaftuan 30 minuta për të shënuar edhe golin e dytë të takimit. Uzuni shpërthen në krahun e majtë duke shtangur Dushkun me një lëvizje trupi dhe skuadrën e Kukësit që nuk e kishte imagjinuar kurrsesi një transfertë kaq të vështirë në Fier.
Të shokuar nuk janë vetëm aktorët në fushë por edhe në tribunë. Me pushimin e pjesës së parë e cila i vjen si ilaç trajnerit Shqiri, Kukësi futet në fushe më tre ndryshme, por sërish ata të cilët bëjnë diferencën janë Lushtaku dhe Peijç. Kryesuesit e superligës rikthehen në lojë vetëm në minutën e 83-të ku Lushtaku shndërron në gol një asist nga Peijç. Përpjekjet e Kukësit për të mos dalë të humbur nga kjo sfidë shpërblehen në minutën e 93-të, Pero Peijç edhe një herë tregohet vendimtarë për Kukësin duke shënuar golin e barazim që vendos paqe në shifra por jo në fushe, ku të gjithë ankohen për gjithçka.

(E. Shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: