Një stuhi e fuqishme ka goditur pasditen e djeshme qytetin e Sarandës, duke shkaktuar dëme në disa zona vetëm brenda pak minutash.
Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erëra të forta që zgjatën rreth pesë minuta, mjaftuan për të rrëzuar pemë, bllokuar rrugë dhe krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Dëme janë raportuar edhe në disa biznese përgjatë shëtitores, ku era e fortë ka dëmtuar struktura dhe pajisje.
Një nga incidentet më serioze u regjistrua në rrugën përballë stadiumit të qytetit, ku një pishë u rrëzua mbi tre automjete, duke shkaktuar dëme materiale.
Sipas informacioneve nga urgjenca e Sarandës, tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u plagosën nga copëzat e xhamave të thyer si pasojë e stuhisë. Fatmirësisht, pas trajtimit, ata janë larguar drejt banesave të tyre dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentet dramatike të stuhisë, ndërsa dëgjohen turistë të alarmuar që bërtasin: “Vrapo! Çfarë po ndodh kështu?!”, teksa erërat e forta përfshijnë zonën.
Ndërkohë, punonjësit e shërbimeve të Bashkisë së Sarandës kanë dalë menjëherë në terren për të pastruar rrugët, larguar pemët e rrëzuara dhe monitoruar situatën në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes deri në normalizimin e plotë të kushteve.
