Një një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24”, gazetarja Klodiana Lala, cilësoi si bashkëfajtore për vrasjen e 23-vjeçares Sabrina Bengaj nga ish-burri Elton Metaj, edhe institucionet e drejtësisë. Sipas gazetares, institucionet nuk duhet të mjaftohen vetëm me firmosjen e një urdhër mbrojtjeje, por duhet të shkojnë edhe më tej në ekzekutimin e saj në praktikë.

Ajo theksoi ndër të tjera, se mjekët ligjorë, lëshojnë ose përmes korrupsionit, ose nga paaftësia vendime për dalje nga burgu të personave me probleme mendore, të cilët përbëjnë më pas rrezik potencial për shoqërinë.

Si ndodhi dhe arriti të lirohet një person nga burgu i Zaharisë, duke u konsideruar disi më mirë dhe për tu kuruar në shtëpi?

Klodiana Lala: Ne do të flasim për institucionet. Ngjarja ishte e rëndë, ne kemi raportuar për vrasjen e mjaft grave, është gruaja e 6 që vritet në 8 muajt e fundit, e ne flasim për të njëjta gjëra. Sa i përket rastit të Elton Bengajt Metajt, që ka marrë dhe mbiemrin e bashkëshortes. Pak muaj më parë, në pranverën e këtij viti, Elton Bengaj kishte ushtruar dhunë ndaj familjes së tij dhe u dërgua për masë sigurie në gjykatë. Asokohe Prokurori Piro Sota vendosi atë në një institucion të specializuar. Ai u vendos të dërgohej në spital psikiatrik për shkak të gjendjes së rënduar. Pak muaj më vonë kemi vendim të një gjyqtari për ta lënë të lirë nga burgu, duke pretenduar se gjendja e tij mendore ishte përmirësuar. Pyetja që duhet të na shqetësoj të gjithëve është, ç’po ndodh me mjekësinë ligjore? Mjekë të ndryshëm nga marsi në korrik kanë ndryshuar mendim dhe gjyqtari ka qenë në një situatë ku ka pasur dy akte ekspertimi. Nuk është hera e parë që ngremë këtë shqetësim. Në gjykata dhe prokurori kam hasur raste kur dhe bosë të krimit janë liruar me kusht, përmes këtyre rasteve të ekspertimit, por ama, kemi njerëz me rekorde kriminale dhe janë lënë të lirë.

Kanë faj institucionet?

Klodiana Lala: Institucionet kanë çaluar dhe janë të përfshira, bashkëfajtore, kjo është arsyeja kur në raste të tilla nuk ka reagime. Pak muaj më parë u vra një grua para gjykatës. Pra ne kemi një sërë problemesh. Burrat e dhunshëm që ushtrojnë dhunë ndaj familjes së tyre i shpëtojnë drejtësisë. Ka pasur një reagim të zotit Metani pas ngjarjes, ku të dënuar apo persona të paraburgosur janë liruar në këtë formë, por unë mendoj që rastet konkrete të shihen me prioritet. Ne kemi problematika sa i përket dhunës në familje, si dhe mekanizmit të urdhrit të mbrojtjes. Një burrë i dhunshëm duhet të qëndrojë larg gruas, por në praktikë kjo nuk funksionon. Në pjesën dërrmuese urdhrat mbrojte janë fiktive.

Pse ndodh kjo?

Klodiana Lala: Unë shoh institucionet si bashkëfajtore. Dhuna ndaj gruas duhet të ngrihet në piedestal të lartë. Institucionet e shohin urdhrin e mbrojtjes si diçka që përfundon sapo firmoset. Sfida është se si duhet zbatuar ky urdhër, shoqëria duhet të jetë më e vëmendshme. Ndërkohë që ne lëmë jashtë vëmendjes pjesën tjetër. E kam të pamundur se si mjekët ligjorë kanë ndryshuar qëndrim ndaj një personi, që më pas mori armën dhe vrau gruan a tij. Padisktuim që është një ngjarje e rëndë vrasja e një 23-vjeçareje.

Kujt institucioni duhet ti kërkojmë llogari?

Klodiana Lala: Kur vritet një grua çështja ngrihet në një nivel më të lartë. Unë mendoj që janë disa institucione që duhen të vihen në alert e të reagojnë për mënyrën se si këto histori po shkojnë. Nëse është e nevojshme prania e një psikologu kur një grua e dhunuar po jep dëshminë e saj. Kur një grua mbetet në mes të katër rrugëve duhet që shteti ti japë mundësi e të vendoset në një strehëz. Në pjesën dërrmuese këto ndodhin për shkak të korrupsionit, por në raste të caktuara edhe për shkak të paaftësisë.

Si ekzekutohet një urdhër mbrojtje?

Klodiana Lala: Ligji nuk parashikon që në shtëpinë e një gruaje të dhunuar të qëndroj një punonjës policie, por duhet parë se cili rast. E thashë, institucionet mendojnë që e gjitha mbaron me firmosjen e urdhrit të mbrojtjes. Ka një agjent që duhet të ketë informacion për personalitetin e që sapo doli nga burgu, e këto të dhëna t’i raportonte në bazë e më pas të duhej që të vendosej nëse do të kishte një oficer në shtëpinë e vajzës. Është liruar dikur Astrit Avdylaj, me një ekspertizë mjeko ligjore, askush nuk është në burg. Kemi pasur pafund anëtarë të grupeve kriminale që rrezikojnë jetën e të gjithëve ne që dalin nga këto akte ekspertimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb