TIRANË

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, kriminalitetin, duke dhënë shifra konkrete.

Nano tha se mbetet shqetësues fenomeni i dhunës në familje. Sa i përket vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, ai tha se autori ishte me precedent dhe i dënuar më herët, por se nuk ka pasur të tjera kallëzime pas dënimit. Gjithashtu drejtori i Policisë dha disa data kur Klodian Çalamani ishte kontrolluar dhe verifikuar, por të gjitha informacionet bënin fjalë për krime në fushën e vjedhjes ose ndaj pronës, jo për krime të rënda.


“Shqetësues fenomeni i dhunës në familje. Krahasuar me 2020,  3.7 % vepra penale më shumë. Janë 893 të mitur të dëmtuar nga vepra të ndryshme penale, pjesa më e madhe e tyre nga siguria rrugore, 331 të mitur. Nga dhuna në familje 175 të mitur ose 19.5 e të miturve, nga krimet seksuale 67 të mitur duke shënuar një rënie nga viti i kaluar.Nga këto ngjarje, veçojmë ngjarjen datës 16 në fshatin Grecalli të bashkisë Fier ku u arrestua Klodian Çalamani i cili ka vrarë me sende të forta M.V. që e kishte groposur në oborrin e banesës. Autori rezulton një person i evidentur nga policia e shtetit një person me precedent. Gjykata e kishte dënuar me 4 vit burg për heqje të paligjshme të lirisë dhe është liruar nga burgu i Rrogozhinës më 6 gusht 2009 për plotësim të kohës së vuajtjes së dënimit.


Për këtë shtetas ka pasur të dhëna policore se ka aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së banesave, bagëtive e shpendëve në fshat, informacione që kanë qenë pas verifikimeve Për autorin pas përfundimit të dënimit nuk ka pas informacione, të dhëna apo kallëzime si i dyshuar për vepra penale në fushën e abuzimeve seksuale apo dhunës në familje”, tha Nano.

Ndërkohë ai tha gjithashtu se po punohet për zbardhjen e vrasjeve pa autor dhe se 30% e vrasjeve këtë vit kanë shkak dhunën në familje.

Në lidhje me rastin e vrasjes në Fier, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PD Ervin Salianji, Nano tha se Klodian Çalamani ishte verifikuar disa herë dhe më e fundit 5 ditë para ngjarjes, por nuk ka pasur asnjë informacion.

“Dua të përmend dhe njëherë pavarësisht se e përmenda në fazën e parë, autori i vrasjes nuk ka qenë jashtë vëmendjes së policisë pasi është verifikuar nga shërbimet policore dhe janë të dokumentuara të gjitha rastet. Ka qenë i dënuar dhe pas daljes së tij nga burgu nuk ka pasur më informacione lidhur me këtë tendencë apo figurë krimi. Të gjitha informacionet në drejtim të aktivitetit kriminal kanë qenë për vepra penale në fushën e vjedhjes.
Është verifikuar në disa data në vitin 2021 dhe është kontrolluar dhe nuk ka pasur probleme. Në gusht është kontrolluar shtetasi Klodian Çalamani dhe nuk ka pasur probleme. Në 22 shtator është kontrolluar nga punonjësi i patrullës së policisë dhe nuk ka pasur probleme. Informacioni i fundit lidhur me aktivitetin kriminal të këtij shtetasi ka qenë më datë 11 nëntor dhe përsëri ky informacion në fushën e vjedhjes apo krimeve ndaj pronës, nuk ka pasur informacion për aktivitetin e këtij personi në drejtim të krimeve të rënda apo të dhunshme”, deklaroi Nano.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb