Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me hetimin për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Siç është raportuar më parë, që kur ndodhi ngjarja në ambientet e lokalit ka qenë edhe një person me shtetësi angleze dhe banim në Londër, i cili kishte ardhur në vendin tonë më 14 prill dhe është larguar drejt Anglisë më 19 prill, vetëm 5 pas orë pas ngjarjes, ky person është marrë në pyetje.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për “BalkanWeb” se autoritetet shqiptare i kishin bërë kërkesë autoriteteve homologe angleze për marrjen në pyetje të këtij personi dhe ditën e djeshme është pyetur rreth qëndrimit të tij në Shqipëri dhe arsyeve se pse kishte shkuar në Shëngjin, është pyetur rreth ngjarjes ku ai ishte edhe dëshmitar okular. Autoritetet shqiptare po presin përgjigjen nga homologët anglezë.

Sa i përket automjetit tip “Land Rover Defender” që është pikasur nga kamerat e sigurisë në fshatin Kukël ku dyshohet se është larguar autori pasi lëvizi me motor nga vendi i ngjarjes, grupi hetimor në bazë të këqyrjes së pamjeve filmike ka dyshime se në mjetin “Defender” kanë qenë tre persona, autori dhe dy persona të tjerë. Po ashtu grupi hetimor ende nuk ka prova nëse motori është futur brenda në “Defender” edhe pse ka dyshime që mund të jetë futur aty, por po hetohet edhe pista që motori mund të jetë futur në një mjet tjetër. Sa i përket verifikimeve të mjetit “Defender”, në vendin tonë qarkullojnë një numër i pakët mjetesh të tilla të regjistruara, gjë që mund të bëjë që grupi hetimor ta ketë më të lehtë verifikimin e mjetit, autorësinë e mjetit dhe se kur dhe si ka hyrë në vendin tonë, pasi mjeti ishte me targa te huaja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb