Gati një muaj pasi u vu në pranga në Stamboll, Turqi, Dritan Rexhepi, i lakuari i “mbreti shqiptar i kokainës”, ka humbur një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Rexhepi kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Vendimi:

Vendim nr. 261 datë 11.12.2023 Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, Elsa Toska, anëtarë, në datën 11.12.2023 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 7 (D) 2023 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

KËRKUES: DRITAN REXHEPI, përfaqësuar nga avokat Bledar Dumani dhe avokate JoanaQeleshi, me prokurë të posaçme.

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

BAZA LIGJORE: Nenet 18, 32, 42, 124, pika 1, 131, pika 1, shkronja “f”, 132, pika 1, 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2 dhe 142 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë(Kushtetuta); neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

Pretendimet e kërkuesit:

Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se i janë cenuar:

13.1. Standardi kushtetues për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, pasi Gjykata e Lartë e ka rishqyrtuar çështjen vetëm formalisht, duke mos iu përmbajtur vendimit nr. 8/2018 të Gjykatës ose rekursit të tij.

13.2. E drejta për proces të rregullt ligjor, në drejtim të:

13.2.1. Së drejtës së aksesit dhe ankimit substancialnë lidhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës,për shkak të marrjes së vendimit nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit. Arsyetimi i vendimit nr. 8/2018 të Gjykatës e bënte të domosdoshëm kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.

13.2.2. Standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor në lidhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, në drejtim edhe të së drejtës për t’u dëgjuar, pasi Gjykata e Lartë ka lënë pa trajtuar pretendimet e tij, pavarësisht se ato janë vlerësuar të një natyre kushtetuese nga Gjykata.

Ajo nuk ka trajtuar pretendimet e parashtruara në rekurs në lidhje me dëshmitë e dhëna nga shtetas të tjerë, të cilët referojnë për fakte të mësuara nga persona të tretë që kanë ndërruar jetë, të përdorura në gjykim në bazë të nenit 154/2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Këto pretendime nuk kishin të bënin me vlerësimin e provave, por me ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e tyre në gjykim. Po kështu, ajo nuk ka arsyetuar për pretendimet e tij se është dënuar në bazë të provave të marra në kundërshtim me ligjin ose për ekzistencën e dy vendimeve diametralisht të kundërta për të njëjtin fakt penal. Referenca e kësaj gjykate në ligj nuk zëvendëson arsyetimin.

Vendimi përfundimtar:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese , në bazë të neneve 31 dhe 31/a, pika 2, shkronja “ç”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI : Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: