Gjyqtarja e Shkodrës që u ekzekutua dy ditë më parë nga ish-bashkëshorti, sapo kishte dalë nga parukeria kur ndodhi ngjarja, shkruan “Panorama”, teksa publikon intervisten me parukieren nga e cila doli gjyqtare pak para se ta vriste ish burri.

Ajo u qëllua për vdekje në momentin që po lëvizte makinën për t’u larguar drejt shtëpisë disa metra më tej.

Parukierja që i bëri thonjtë ishte personi i fundit me të cilën 39- vjeçarja ka komunikuar para se të ndodhte krimi, por nuk kishte biseduar asgjë me të në lidhje me konfliktet që kishte me bashkëshortin.

Mikesha e viktimës, e cila nuk pranon të identifikohet, tregon se ngjarja ka ndodhur vetëm një minutë pasi gjyqtarja ka dalë nga salloni i saj. Ajo shprehet se nuk ka dëgjuar debat apo thirrje për ndihmë, por vetëm të shtënat e armës.

“Bëri thonjtë dhe më pas doli për të ikur në shtëpi. E kisha kliente të rregullt, vinte gjithmonë tek unë. Ishte njeri i mrekullueshëm. Akoma nuk e besoj se çfarë ka ndodhur. Gjithmonë e qeshur dhe me batuta, i bënte të gjithë për vete”- thote ajo.

Fildes Hafizi u vra dje (të enjten) para sallonit tuaj. A arritët të shihnit se si ndodhi ngjarja? 
Jo, nuk kam parë asgjë, pasi dera ishte e mbyllur dhe siç e shihni, edhe vetë xhami është i veshur me letër e nuk duket asgjë nga jashtë.

Ishte te ju para se të ndodhte ngjarja?
Po, këtu ishte. Bëri thonjtë dhe më pas doli për të ikur në shtëpi. E kisha kliente të rregullt, vinte gjithmonë tek unë. Ishte njeri i mrekullueshëm. Akoma nuk e besoj se çfarë ka ndodhur. Gjithmonë e qeshur dhe me batuta, i bënte të gjithë për vete.

Vrasja ndodhi menjëherë pasi doli nga salloni?
Po, po, menjëherë. Nuk kishte kaluar asnjë minutë. Sa ka hipur në makinë, kam dëgjuar të shtënat.

Dëgjuat ndonjë grindje apo debat mes tyre, para se të dëgjonit krismat?
Jo, nuk kam dëgjuar asgjë. Unë vazhdova punën pasi doli ajo. Zhurmat këtu, tharësja e ndezur, nuk të lejojnë që të dëgjosh asgjë.

Po pasi dëgjuat krismat, çfarë ndodhi?
Hapa derën dhe dola jashtë të shihja çfarë ndodhi. Makina e Desit ishte shumë pranë sallonit. E pashë që ishte e gjakosur brenda në makinë. E kuptova se kishte vdekur se nuk kishte shenja jete.

Po autorin e patë?
E pashë që po largohej me shpejtësi. Nuk mora vesh asgjë më shumë se u bëra shumë keq. U futa brenda, mbylla derën dhe qëndrova këtu derisa erdhi Policia. Jam ende e tmerruar nga ajo që ka ndodhur. Nuk kam fjetur gjithë natën mbrëmë. E kam të gjithë skenën para syve.

A keni dhënë deklarime në polici?
Po, më pyetën. Kaq sa ju thashë edhe ju kam thënë. Nuk di asgjë më shumë.

Ishit në dijeni të problemeve që ajo kishte me ishbashkëshortin?
Isha në dijeni, por ajo nuk fliste shumë për të. Edhe unë nuk e ngacmoja, s’doja që ta vija në pozitë të vështirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb