Zbardhet dëshmia e Ilir Selmanit, i cili është dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ky i fundit ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Leonard Dukës, Erlis Duka e të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.

Para togave të zeza, Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.

Selmani tha se ditën kur ndodhi vrasja e Malkos kishte drekuar me në Fresk me Leonard Dukën, Erlis Dukën, Olian Lokën, Dritan Again e disa të tjerë. “Shkoj shpesh në atë lokal, se e kam 20 metër larg shtëpisë. Leonard e Erlis Duka merren me kompani bastesh sportive. Dreka me ta ishte rastësi. Ishim 8-9 veta dhe qëndruam 2-2.5 ore. Blendi Teta e Fatmir Hyseni kanë qenë me ne. Tetën e solli Ervis Metani, i cili qëndroi veç 10 minuta dhe iku”, pohoi në gjyq Selmani. Mes të tjerash ai tha se pasi kishte përfunduar darka, ai kishte shoqëruar me një automjet “Skoda” që përdorej për aktivitetin e vëllezërve Duka, Blendi Tetën drejt një vendqëndrimi taksish.
“Blendi do shkonte tek bashkëjetuesja. Tek Rruga-Ura nuk gjetëm taksi, ndaj e çova deri tek QSUT. Aty Blendi me tha ta prisja 10 minuta. Mua me lëvizi një roje i një godine para së cilës kisha ndaluar. Qëndrova veç një minute dhe u largova. Nuk e prita të hipte në taksi. U ktheva tek lokali, por policia kishte rrethuar Leonard e Erlis Dukën. Makinën e çova në një lavazh. Telefonin e kisha harruar në lokal dhe ma solli Aleksandër Manxhaku. Fola me bashkëshorten në telefon. Më tha; ‘ka ardhur policia’. Gruaja më kaloi në telefon Klodin e vrasjeve. Ai më tha që duhet të shkoja në komisariat, por unë nuk shkova. Policinë e kam fobi. Ka patur raste kur na kanë shoqëruar, dhunuar e më pas lënë të lirë në mëngjes. Atë natë fjeta tek një mik në lagje”, pohoi ai.

Ai tha se kur po kthehej në lokal kishte dëgjuar zhurma dhe një fuoristradë kishte dalë jashtë rruge.
“Unë po vuaj dënim, por jam pa faj. Çdo provë është e manipuluar. Ju prokuror nuk keni bërë asnjë hetim, por i keni marrë të gatshme.”, tha ai. Madje ai ka folur dhe për takimet e tij në burg me Blendi Tetën si dhe bisedat me këtë të fundit. “Gjatë qëndrimit në burg kam takuar Blendi Tetën. Më ka thënë se e ka marrë peng Ervis Martinaj me disa miq, ku ka qenë edhe një punonjës policie. E kanë kërcënuar se do ta murosnin nëse nuk thoshte çfarë donin. E kanë detyruar të firmosë letra që as nuk i ka lexuar.”, shtoi ai. Selmani ka sqaruar dhe lidhjen e Martinajt me Leonard Dukën.

“Me Ervis Martinaj, Leonard Duka ka pasur kompani të përbashkëta. Në dijeninë time Santiago Malko ka qenë krahu i djathtë i Martinajt. Kur e takova në burg Blendi Teta më tha se ka telefonuar Martinajn. Pastaj ai e ka marrë dhe e ka çuar në një bodrum në Sauk ku e kanë dhunuar dhe kërcënuar me jetën e fëmijëve. E pyesnin se kush e ka vrarë Santiago Malkon. Pastaj Blendi ka shkuar në polici”, -përfundoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: