Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka komentuar procesin për zgjedhjen e kreut të PD-së, ku Sali Berisha u konfirmua në krye të partisë pa pasur kandidatë përballë.

Sipas Murrizit, procesi nuk mund të konsiderohej një garë e mirëfilltë, por një votëbesim për Berishën.

“Për mua ishte votëbesim, përderisa nuk kishte kandidaturë tjetër. Duhej të ishte bërë më herët. Kur u artikuluan zërat për përgjegjësinë, në atë kohë duhej kaluar në votëbesim”, u shpreh ai në “Programin e Drekës” në News24.

Murrizi tha se disa kandidatë nuk plotësonin kriteret për të hyrë në garë, por shtoi se kishte qenë kundër përjashtimit të Ervin Salianji apo kujtdo tjetër që përmbushte standardet. Ai shtoi se nuk do të merrte pjesë në votim nëse procesi do të ngjasonte me, sipas tij, “variantin e Ramiz Alisë”, me kandidatë anonimë përballë Berishës.

Murrizi theksoi se në kushtet aktuale të PD-së, askush nuk do të mund ta fitonte garën përballë Berishës. Në fund, Murrizi krahasoi situatën edhe me partitë e tjera politike në vend, duke deklaruar se kryetarët mbeten për vite të tëra në drejtim, ndërsa akuzoi edhe Edi Rama se nuk zhvillon zgjedhje të brendshme në parti.

“Për mua ishte votëbesim. Përderisa nuk kishte kandidaturë tjetër. Duhej t ishte bërë më herët. Kur u artikuluan zërat për përgjegjësinë, në atë kohë pati deklarata, dhe duhej të ishte kaluar në votëbesim. Disa kandidatë nuk përmbushnin kriteret, nuk flas për zotin Salianji. Ndaj më mirë një votëbesim. Isha kundër përjashtimit nga gara të zotit Salianji dhe të çdokujt që plotëson standardet. Nuk do të shkoja në votim nëse do ishte varianti i Ramiz Alisë, nëse do kishte kandidatë anonimë. Nuk besoj se cilido kandidat, me këtë PD do ta mundte zotin Berisha. Se më kanë thënë dhe mua që; pse nuk hyn në garë, Por sa kohë që garon Berisha, nuk ka garë. Edhe te partitë e vogla ka nga të njëjtën kryetarë prej 25 vitesh. Rama nuk bën zgjedhje fare. Nuk i bën në asnjë nivel. Nuk është referendum, por është votëbesim për Berishën.”, tha Murrizi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: