TIRANE- “Më morën dritën e syve, më mbyllën derën”. Ky është rrëfimi i një nëne të dëshpëruar, e cila kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të saj, Kelment Hoxhallari, i cili u qëllua për vdekje me thikë qershorin e vitit të kaluar. Adelina Hoxhallari, e ftuar bashkë me bashkëshortin e saj, në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 mes lotëve deklaroi se lirimi i Redi Kazermës, i cili u dënua vetëm për “Moskallëzim krimi”, ishte padrejtësi nga gjykata duke akuzuar kryesuesin e trupit gjykues, Stavri Kallço.

Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë, e cila ka dënuar Bregun si autorin kryesor si dhe Kazermën, me 1 vit e 5 muaj për ‘Moskallëzim krimi’, ka qenë seanca në Gjykatën e Apelit Korçë, e drejtuar nga gjykatësi Stavri Kallço, e cila ka lënë në fuqi vendimin e parë, duke lënë Kazermën të lirë në sallën e gjyqit. Këtë gjë pohoi dhe nëna e të riut të vrarë, e cila akuzon haptas gjyqtarin Kallço.

Nëna e 28-vjeçarit, që u vra në qytetin e Korçës, me detyrë Inpektor, theksoi më tej se ky vendim ‘ishte një vrasje për herë të dytë për djalin tim dhe ne’. “U ngrit avokati, dhe theksoi se ishte biçak mjeti që u përdor për vrasjen dhe se Bregu kishte mbrojtur veten. Versioni i tij për masën lehtësuese ishte fakti se autori ishte jetim. Kur unë flisja dhe reagova më thanë ‘nënë mbylle gojën se do të nxjerrë përjashta’. Kazerma nuk ishte për atë akuzë, pasi ai ma vrau djalin. Ishte personi që i ngriti kurthin. Më mbyllën derën, më vranë dritën e syve. Erion Hoxhallari më tha se “ata e ngjitën lart dhe më pas e vranë në shkallë”. Mendin kur e pash në spital, ishte akoma i ngrohtë. Kishte dy goditje pas koke dhe më pas dy goditje në brinjë. Më tha mjeku se ishte goditur me thikë kasapi.”, deklaroi nëna e viktimës.

Teksa nuk mban dot lotët, Adelina Hoxhallari pohon më tej: “Vrasja e djalit tonë nuk është e zbardhur. Ne nuk kemi qenë dakord me asnjë vendim, pasi gjithçka janë manipulime. Avokati që trajtoi çështjen ishte një sekser. Ai pohoi se djali ishte goditur me biçak, por në fakt ishte goditur nga thika, por dhe kemi dyshime se janë përdorur armë zjarri. Është një vrasje me paramendim, dhe orari ishte ndryshuar dhe armët e krimit. Prokuroria duhet të hapte tabulatet”.

Nga ana tjetër, Adelina tha se bashkëshorti i saj është kërcënuar nga burri i prokurores Dorina Bejko, fill pasi kishte qenë në studion televizive të News24, duke shtuar se: “Bashkëshorti i prokurores, Dorina Bejko na ka kërcënuar dhe na ka thënë se kemi ofenduar gruan. Na tha: Mirë, mirë se do ta gjeni të drejtën”, tha Hoxhallari. Po ashtu, ajo pohoi se ka marrë kërcënime dhe nga familjarët e Çekiçëkve. “Kemi marrë kërcënime. Na thanë: “shisni gazetat çdo ditë”.

REDI KAZERMA: S’KAM GISHT NË VRASJE, NJË VIT U FSHEVA SE FAMILJA HOXHALLARI MË KËRCËNOI
Fill pas akuzave të lëshuara në emisionin “Me zemër të hapur”, një prej të dënuarve për “Moskallëzim krimi”, Redi Kazerma, i cili u lirua më datën 26 nëntor ka deklaruar se është i pafajshëm.

Në një lidhje telefonike, Kazerma ka hedhur poshtë akuzat e familjes Hoxhallari, ndërsa theksoi se prokuroria dhe policia kanë hetuar për këtë çështje. “Më vjen shumë keq për familjen që u ndodhi kjo. Ju kërkoj ndjesë. E vërteta është se e ka thënë policia dhe prokuroria. Unë jam i varfër dhe po më akuzojnë kot. Unë nuk kam as bukë të ha në shtëpi. S’kam qenë në atë moment kur ka ndodhur ngjarja, por kam qenë në lokal. Kur ka dalë Kelmenti para, më pas ka dalë Eltoni.”, tha i riu.

Teksa u pyet se përse ishte fshehur për një vit me radhë që nga momenti kur ndodhi vrasja, Kazerma tha se kishte frikë nga familja Hoxhallari, pasi ata e kishin kërcënuar sipas tij me jetë. “U fsheha nga kërcënimet e familjes, pasi ata më kanë kërcënuar se më thoshin që do ta vrasim. Nuk jam i mbrojtur dhe kam frikë. Unë kam tabulatet e telefonit, po ashtu janë dhe të personit të ndjerë.”, pohoi Kazerma.

Nga ana tjetër ai hodhi poshtë dhe versionin se kishte qenë pikërisht ai sipas familjarëve të viktimës që e kishte marrë në telefon të ndjerin, Kelment Hoxhallari. “Të gjitha të zbardhen si është e vërteta. Nuk e kam telefonuar, ai më ka telefonuar. Jam i gatshëm që të vi dhe në studio. Jam i gatshëm për gjithçka.”, përfundoi Kazerma.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: