Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm urdhëroi vlerësim të ri psikologjik për Mario Përlleshajn, autorin e dyshuar të vrasjes së të miturit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, si dhe të plagosurit Luis Mece.
Përlleshaj është dënuar nga gjykata e Tiranës me 16 vite burgim për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si dhe fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë ndaj Luis Meçes.
Ai e ka ankimuar vendimin, dhe për këtë arsye çështja është duke u shqyrtuar në Apel, ku gjatë diskutimeve trupa gjykuese ka vlerësuar se duhet kryer një raport i ri psikologjik për autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin nga vepra penale.
Dy psikologe të caktuara nga gjykata do të marrin kontakt me Përlleshajn dhe Meçen dhe do të hartojnë raportin për gjendjen e tyre psikologjike.
Raporti pritet të diskutohet në seancën e datës 1 korrik. Martin Cani u godit për vdekje me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. I plagosur mbeti edhe miku i tij Luis Mece. Nga hetimet e prokurorisë nën akuzë u vu i mituri Mario Përlleshaj, që rezultoi se veproi i vetëm.
Ngjarja e rëndë u pasua me protesta nga prindërit që bënë thirrje për siguri në shkolla.
