SHKODER

Dy vëllezërit Kleandro dhe Gilbert Toma, sipas policisë kane luajtur rol kyë në vrasjen e Nard Polisë, më 20 mars në fshatin Grudë të Shkodrës . Bashkë me vëllezërit Toma,  u arrestua edhe 20 vjecari Alfred Martini, i cili dyshohet se i ka orjentuar ata, duke qenë njohës i mirë i zonës ku ndodhi vrasja. Tre të ndaluarit kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me vrasjen e Nard Polisë.

Sipas policisë dyshohet se këta persona kanë ndjekur gjatë gjithë ditës me mjetin tip “Audi”  Nard Polinë. Më pas e njëjta makinë sipas policisë është vërejtur tek Ura e Mesit, në vendin ku autori i dyshuar dogji motorin me të cilin kreu vrasjen. Mjeti tip Audi është në pronësi të Alfred Martinit, por ky i fundit deklaroi se makinën ia kishte dhënë shtetasit K.S mëngjesin e 20 marsit dhe ai ia kishte kthyer pasdite.

Pas ndalimit të tre bashkepunëtorëve të ekzekutorit të biznesmenit Polia, vëllai i tij shpreh dyshime se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv, pasi në dijeninë e tij, i vëllai nuk kishte asnjë njohje me ta. Pavlin Polia kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se gjithcka ja ka lënë në dorë drejtësisë.

“Ne si familje përgëzojme punën e policise. Nuk di të kemi konflikte me ndonjërin prej të dyshuarve që më treguan. Ne besojmë se kanë ngatërruar personin, gjithsesi nuk bëhemi si ata, sido që të jetë puna e kushdo të jetë përfshirë në këtë ngjarje. Me shpresë që të zbardhet kjo ngjarje sa më parë, falenderoj ata qe po na gjenden në këtë mort, që i mori jetën vëllait tonë”.

Nga ana tjetër policia dyshon se shtetasi K.S është vrasës me pagesë ndërsa ende nuk është arritur të zbulohen porositësit dhe motivet që çuan në vrasjen e 32 vjeçarit Nard Polia. Momentalisht pista e vetme mbetet e kaluara e tij në Itali ku vite më parë është dënuar me 4 vite burg për disa vepra penale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb