SHKODËR

Policia vendore e Shkodrës ka marrë në pyetje tre shtetasit e ndaluar një ditë më parë të dyshuar si bashkëpunëtorët kryesorë në vrasjen e shtetasit Nard Polia, apo siç njihej ndryshe si ‘Nardi i bujtinave’.

Gazetari i ‘BalkanWeb’, Senad Nikshiqi raporton se tre të ndaluarit nga ana e Policisë së Shkodrës kanë mohuar akuzat ndaj tyre duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit, i cili u qëllua me 20 plumba në fshatin Grudë të njësisë Rrethina në Shkodër.

Policia ndaloi shtetasit Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini si bashkëpunëtorë në vrasje ndërsa shpalli në kërkim shtetasin K.S i dyshuar si autor i vrasjes të Nard Polisë. Të tre të ndaluarit kanë deklaruar pasi janë marrë në pyetje se ata nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen dhe mohojnë çdo akuzë ndaj tyre.

Policia vendore në njoftimin e saj bëri të ditur se dyshohet se këta persona kanë ndjekur gjatë gjithë ditës me mjetin tip ‘Audi’ viktimën Nard Polia.

Më pas e njëjta makinë sipas policisë është vërejtur pas këqyrjes së kamerave të sigurisë duke kaluar tek Ura e Mesit, në vendin ku autori i dyshuar dogji motorin tip ‘T Max’ me të cilin dyshohet se ka kryer vrasjen.

Kjo makinë e cila dyshohet se ka ndjekur viktimën dhe më pas del edhe tek vendi ku u dogj motori tek kamerat e sigurisë ka çuar policinë në ndalimin e tre shtetasve. Mjeti tip ‘Audi’ është në pronësi të shtetasit Alfred Martini i cili është një prej të ndaluarve. Ky i fundit ka pranuar se është makina e tij por ka deklaruar në polici se këtë mjet ia ka dhënë që në mëngjesin e 20 marsit shtetasit K.S i shpallur në kërkim dhe 27-vjeçari që dyshohet si autor i vrasjes ia ka kthyer mjetin në orët e pasdites, pretendon i ndaluari Alfred Martini.

Ky i fundit bashkë me dy të ndaluarit e tjerë Gilbert Toma dhe Kleandro Toma kanë deklaruar se ata nuk kanë qenë fare në makinën në fjalë me të cilën policia dyshon se është ndjekur viktima dhe më pas është transportuar autori i dyshuar pas djegies së motorit.

Nga ana tjetër policia dyshon se shtetasi K.S është ekzekutori me pagesë ndërsa ende nuk është arritur që të shkohet tek motivet që çuan në vrasjen e 32-vjeçarit,  Nard Polia dhe pista e vetme deri më tani mbetet e kaluara e tij para 9 vitesh në Itali ku është dënuar me 4 vite burg për prostitucion, trafik kokaine dhe vjedhje me thyerje të dy banesave.  Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: