Vrasja e Eglantina Bucit nga i vëllai dhe i ati i saj, Shkëlzen dhe Faik Buci, duket se nuk është krimi i vetëm që babë e bir kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Detaje të reja mësohen në lidhje me krimin monstruoz, por edhe rolin e Faik Bucit në atentatin ndaj aktorit Mishel Prela.

Edhe pse të akuzuar për vepra të ndryshme penale, Faik Buci, rezulton i dënuar lidhur me tentativën e vrasjes së aktorit Mishel Prela, e ndodhur tre vite më parë në kryeqytet, në afërsi të gjimnazit “Partizani”. Në vendimin përfundimtar dhënë nga Gjykata e Tiranës, rezulton se Faik Buci është dënuar me 1 vit burg për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, por me gjykimin e shkurtuar, dënimi iu ul në tetë muaj heqje lirie.

Sipas organit të akuzës, Faik Buci, kishte çmontuar pistoletën e përdorur në atentatin ndaj aktorit Mishel Prela, dhe e kishte vendosur mbi tavolinë. Fillimisht, ai i deklaroi Policisë se armën e kishte gjetur në një çantë në oborrin e shtëpisë, por më pas rezultoi se armën e kishte marrë në çantën ku mbanin veglat e punës.

Si pjesë e kësaj dosje, u dënua si autori kryesor i ngjarjes, i biri i tij, Shkëlzen Buci. Vetëm për veprën penale “vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, Shkëlzen Buci u dënua me 15 vite burg. Me pesë vite të tjera u dënua për veprën penale “armëmbajtje pa leje” dhe në bashkimin përfundimtar të dy veprave penale u dënua me 18 vite burg, të cilat me uljen e 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, kaloi në dënimin përfundimtar me 12 vite burg.

Për të kryer atentatin ndaj Mishel Prelës, Shkëlzen Buci, bashkëpunoi me një tjetër person, i cili tashmë ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë pasi ndihmoi Policinë dhe Prokurorinë për zbardhjen e vrasjes së Eglantina Bucit në vitin 2012.

Burime kanë konfirmuar se dëshmitari ka rrëfyer ngjarjen rreth 5 apo 6 muaj pas arrestimit apo pas tentativës për vrasje të aktorit. Me një kalkulim matematikor rezulton se akuza ka patur në dorë dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë në fillim të vitit 2018, pra rreth shtatë muaj para shpalljes së vendimit për dosjen “Mishel Prela”. Kjo do të thotë se pavarësisht dëshmisë për zbardhjen e ngjarjes së vrasjes së Eglantinës, prokuroria ka qenë e duruar derisa ka mbërritur në dorë edhe prova konkrete, në rastin në fjalë analiza e ADN-së e marrë nga eshtrat e gjetura në Malin me Gropa. Analiza e parë e kryer në një laborator në Tiranë ka faktuar se eshtrat i përkisnin pikërisht Eglantinës, por duhej kryer një tjetër test, kësaj radhe jashtë shtetit.

Analiza në shtetin gjerman ka vonuar me muaj me radhë dhe përfundimisht nuk është bërë. Në fund materialet e analizave janë dërguar në Kosovë, nga ku kanë dalë me të njëjtin rezultat, eshtrat i përkisnin 23-vjeçares Eglantina Buci.

Tashmë në dorën e prokurorisë ishin dy detaje të forta, dëshmia e një dëshmitari që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe analizat e ADN-së që pohonin çdo fjalë të tij. Vetëm në këtë moment prokuroria ka arritur të veprojë dhe të kryejë arrestimin e Faik Bucit, të cilin e ruanin hap pas hapi që prej përfundimit të dënimit tetë mujor për shkak të veprës penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në ngjarjen “Mishel Prela”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb