Gazetari Osman Stafa ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, duke theksuar se protesta qytetare është shndërruar në një përballje me problemet që, sipas tij, kanë rënduar vendin prej dekadash.
“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq shumë të rëndësishëm pas 36 vitesh. Kur këta nuk janë lodhur për 36 vite duke na vjedhur, pse duhet të lodhemi ne pas 86 ditësh për të kërkuar të drejtën tonë?”, u shpreh Stafa.
Ai ngriti shqetësimin për nivelin e pensioneve dhe koston e jetesës, duke thënë se shumë qytetarë e kanë të vështirë të përballojnë çmimet aktuale.
“Kërkohen pensione më të mira, sepse nëse dikush jeton dot me këto çmime… Nëpër farmaci ka lista, ndërsa të njëjtën gjë e sheh edhe në ushqimore. Kam bërë një vëzhgim dhe do ta publikoj së shpejti”, tha gazetari.
Sipas Stafës, një nga shqetësimet kryesore nuk është vetëm largimi i qeverisë, por edhe ajo që do të ndodhë më pas.
“Frika më e madhe është çfarë do të ndodhë pas ikjes së tij. Por pas Orbanit jeta lëviz”, u shpreh ai.
Gazetari tha se protestat e sotme ndryshojnë nga ato të së kaluarës, pasi, sipas tij, nuk janë më partitë politike ato që i thërrasin qytetarët në shesh.
“Dikur protestat i thërriste partia politike. Tani qytetarët kanë dalë për të vrarë frikën. Dikur u thoshin: mos se ke pagën, mos se ke pensionin, mos se ke kempin. Sot njerëzit e kanë vrarë frikën”, tha Stafa.
Ai e cilësoi protestën si një lëvizje të prodhuar nga problemet e qytetarëve, duke theksuar se nuk duhet të jetë e përçarë.
“Instrumenti i Besës është prodhim i protestës, sepse ka ngjallur frikë tek ata. Të gjithë kërkojnë një lider, ndërkohë organizatori i protestës janë hallet e njerëzve dhe korrupsioni. Liderin do ta nxjerrin vetë njerëzit”, deklaroi ai.
Stafa rikujtoi edhe një deklaratë të hershme të kryeministrit Edi Rama lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm.
“Rama, në intervistën e parë, ka thënë se pas katër vitesh do të përgjigjej personalisht për ujin 24 orë. Ndërkohë janë bërë rrugë që shemben me shiun e parë dhe kanë koston e rrugëve të Zvicrës”, u shpreh gazetari.
Sipas tij, ajo që kërkohet sot është një energji e re qytetare dhe një ndryshim i mënyrës së përfaqësimit politik.
“Protesta nuk duhet të jetë e përçarë. Qëllimi është dorëheqja e kryeministrit. Gjithçka është në dorën e ndërgjegjes së qytetarit, sepse qytetari e ka 100 për qind në dorë”, tha Stafa.
“Është si një pikë që po gërryen gurin. Rama po u thotë bizneseve: mos ju shoh në protestë. Ka denoncime se njerëzve u është thënë të mos dalin në protestë. Por ata e kanë vrarë frikën, sepse nuk kanë çfarë të durojnë më”, deklaroi ai.
Në vijim, Stafa theksoi se nëse qytetarët arrijnë ta kapërcejnë frikën, vullneti i tyre mund të bëhet faktor përcaktues.
“Nëse në shtator e vrasin frikën, askush nuk ua del dot përpara vullnetit të tyre. Duhet qëndrueshmëri dhe duhet të luftosh për atë që beson”, u shpreh gazetari.
Në fund, Stafa foli për hendekun që, sipas tij, ekziston mes elitës politike dhe pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare.
“Ata kur i bie sëmundja shkojnë jashtë me avion për kurim, fëmijët i arsimojnë jashtë. Nuk ka fëmijë deputetësh që nuk ia dalin, që nuk blejnë dot shtëpi. Ka dy realitete: realiteti luksoz i pushtetit dhe realiteti i shqiptarëve. Ky është një nga problemet dhe dramat më të mëdha që i ndodh një vendi”, përfundoi Osman Stafa.
