LEZHË- Policia e Qarkut Lezhë, vë në dispozicion shumën prej 5 000 euro  për çdo person që ka informacion mbi autorësinë e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, ku mbeti i vrarë shtetasi Kristjan Marku dhe u plagos rëndë shtetasi Altin Gjonaj.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë garanton anonimatin e plotë të informatorit dhe vë në dispozicion për çdo informacion numrin e celularit 0694106451.

HETIMET
23-vjeçari Kristjan Marku është ekzekutuar mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:30 në qendër të qytetit të Lezhës, ndërsa është plagosur edhe 37-vjeçari Altin Gjonaj, banues në fshatin Tale. Sipas policisë, autorët kanë qenë në një makinë dhe kanë qëlluar nga rruga në drejtim të lokalit. Pikërisht para lokalit ndodhej viktima, duke ecur në trotuar, si dhe Gjonaj që mbeti i plagosur. Ky i fundit është dërguar urgjentisht në spitalin e Lezhës, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore.

Ndërkaq, policia në bashkëpunim edhe me prokurorinë po zhvillojnë hetime intensive. Mësohet se janë ngritur postblloqe të shumta në rrugët hyrëse-dalëse të Lezhës, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Deri më tani janë shoqëruar 16 persona, mes tyre edhe personeli i lokalit para të cilit ndodhi ngjarja. Policia dhe prokuroria e Lezhës po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: