NGA: XHENSILA KODRA*
Igli Meta, shqiptari i cili më 19 korrik të vitit të kaluar vrau me thikë bashkëkombësin e tij Ismail Lulin për arsye xhelozie, i ka dërguar një letër ndjese nënës së viktimës. Kjo gjë bëhet me dije nga mediat italiane të cilat shkruajnë se letra është shkruar gjatë ditës së dytë kur Meta ka qenë në burg. Gazeta e huaj “Il Ducato” raporton se në letrën që autori i krimit të rëndë i dërgoi gruas, i ka kërkuar falje për vrasjen makabre që kishte kryer ndaj djalit të saj, si dhe i ka shprehur asaj rrethanat në të cilat ai ishte ndodhur në ato momente.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Metës ka pohuar se letra është shkruar nga Igli Meta natën e dytë që ky i fundit ka qenë në burg. “Ai e ka shkruar letrën gjatë natës së dytë në burg”, ka thënë avokati Salvatore Buttonholes. “Deri më tani, ajo (letra) ruhej nga prokuroria për të shmangur ndikimin gjatë hetimit”, ka sqaruar ai më tej.

NGJARJA
Vrasja makabër e cila bëri bujë edhe në Shqipëri, në atë kohë u raportua nga hetuesit italianë se ka qenë e paramenduar nga dy shqiptarët, Igli Meta dhe bashkëpunëtori i tij, Marjo Mema. Fillimisht, Ismail Luli është ftuar prej “shokëve” për t’u larë së bashku në lumë dhe pikërisht në Pesaro të fshatit San Marino, shokët e kanë therur atë me thikë, duke i prerë kokën. Vrasja u zbulua nga sms që kishte mbërritur në telefonin e prindërve të Lulit, ku shkruhej se ai do të largohej dhe ata nuk duhej ta kërkonin më atë. Pas arrestimit që policia italiane bëri ndaj dy të rinjve shqiptarë, u raportua se banorët e zonës janë shfaqur mjaft të zemëruar ndaj tyre, pasi kanë qëlluar edhe me gurë ndaj tyre.

Gjatë marrjes në pyetje, autori kryesor i vrasjes, Igli Meta ka pranuar krimin që kishte kryer, si dhe ka pohuar se vrasjen e kreu për arsye xhelozie. Ai ka treguar para oficerëve të policisë se Meta kishte filluar të krijonte një lidhje dashurie me të dashurën e tij nga Maqedonia, Ambera Saliji. Ndërsa, Marjo Mema ka treguar në polici se ka tentuar të ndihmojë Lulin, por ai ka qenë në një distancë të largët në momentin që ka ndodhur ngjarja.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: