Sokrat Vata tregon “heshtjen” para hetuesve, zbardhen dëshmitë e shtetasve turq dhe shokëve të viktimës
Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, është marrë në pyetje nga grupi hetimor lidhur me rrethanat e krimit të rëndë, por ka zgjedhur të mos japë asnjë deklarim para hetuesve.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq, të cilët po shoqëronin Vatën gjatë përpjekjes për t’u arratisur. Në prani të përkthyesve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të përhershëm në lokalin “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin si bodigard e shoqërues personal. Ata kanë sqaruar se e kishin marrë Vatën në automjet thjesht për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të.
Hetuesit kanë pyetur gjithashtu miqtë e viktimës, të cilët kanë sqaruar dinamikën e ngjarjes. Sipas dëshmive të tyre sherri dyshohet të ketë nisur fillimisht pas ngacmimit të një vajze brenda ambientit të lokalit.
Në konflikt u përfshinë shumë persona që po përlesheshin me njëri-tjetrin, situatë ku ndërhynë edhe rojet e sigurisë.
Turisti 20-vjeçar portugez kishte ndërhyrë vetëm për të ndarë palët e përfshira në përplasje përpara se të goditej me pasoja fatale.
