TIRANË – Gratë e vrara e të dhunuara kanë qenë fokusi i emisionit “Studio e Hapur” i gazetares Eni Vasili, mbrëmjen e sotme në News24. Shkrimtarja Flutura Açka, deputetja Majlinda Bregu, deputeti Alfred Peza dhe gazetarja Klodiana Lala kanë diskutuar rastet më të fundit që kanë tronditur çdo familje shqiptare ditët e fundit, por duke shkuar deri tek opsionet për zgjidhjen e këtij fenomeni tashmë.

Shkrimtarja Flutura Açka tha se megjithëse dhuna në familje dhe vrasja e grave nuk është një fenomen shqiptar, për Shqipërinë është një alarm i madh kombëtar.

“Alarm i madh kombëtar, me çfarë po ndodh ditët e fundit, por nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Nuk është fenomen shqiptar. Por këtu nuk ka masa për këto fenomene, ky është ndryshimi mes nesh dhe jashtë”, tha ajo.

Duke u ndalur tek rasti i vrasjes së Liliana Rukos në Fier, Açka tha se është i tmerrshëm urdhri i mbrojtjes që e lejon bashkëshortin të rrijë vetëm 2 metra larg, përfshirë edhe qëndrimin në një shtëpi pas dhunimit të gruas.

Ndërsa pas transmetimit të intervistës së Admir Dervishit, ish-gardistit që vrau me 4 plumba gruan e tij në prill të këtij viti, Açka tha se vrasje të tilla nuk ndodhin nga të sëmurë psikik por nga njerëz që janë të vetëdijshëm, por që vijnë nga kultura dhe mentalitete e me edukim të ndryshëm. “Unë them se nuk janë të sëmurë psikik, por se i bëjnë me vetëdije”, tha ajo.

Deputetja Majlinda Bregu, shumë aktive pas rastit të fundit të vrasjes së 43-vjeçares Liliana Ruko në Fier, tha se shoqëria është indiferente por pa hequr përgjegjësinë e institucioneve.

“E vetmja gjë që nuk më hiqet nga mendja është përfytyrimi nga ajo që kanë treguar fqinjët kur ajo rrinte e varur në dritare. Një reagim nga ana e fqinjëve, ndoshta nuk do ta kishin shpëtuar por një përpjekje 3-4 veta për ta pritur. Ne mbyllim derën në darkë themi shyqyr që nuk na ndodh ne. Nuk përjashtojmë mpirjen dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve”, tha Bregu.

Sipas saj dhuna ndaj grave deri tek vrasja nuk është më një debat por luftë dhe se të gjitha institucionet duhet të vihen për të ndaluar këto krime.

“Ky nuk është debat, është luftë. Pushteti vendor duhet të vihet në rresht për të parandaluar masat. T’i gjejë strehim këtyre grave”, tha ajo.

E për fëmijët, viktimat e dyta të këtyre ngjarjeve, Bregu tha se është historia tjetër më e dhimbshme.

“Fëmijët janë historia tjetër më e dhimbshme. Nesër do të shkoj në Fier, sepse nga informacioneve që kam marrë daja i fëmijëve të Liliana Rukos ka kërkuar kujdestarinë e fëmijëve, të djalit 7 vjeç dhe vajzës 3 vjeç. Fëmijët e kanë kuptuar ngjarjen. Problemi më i madh është i fëmijëve”, tha ajo.

Lidhur me rastin e gardistit Dervishi, Bregu tha se që në urdhrin e parë të mbrojtjes për Ilda Dervishin, atij i duhej hequr arma. “Admir Dervishit duhet t’i ishte hequr arma që në urdhrin e parë të mbrojtjes”, tha Bregu.

Deputeti Alfred Peza e sheh shkakun e dhunës edhe tek promovimi nga media i modeleve të dhunës.

“Promomvivmi i modeleve pozitive dhe jo hapja e rrugës për promovimimin e modeleve të dhunshme, stimulon edhe në mënyrë të ndërgjegjshme edhe pandërgjegjshme dhunën tjetër dhe kjo dhunë vazhdon. Kemi 25 vjet që raportojmë që u kap filani me drogë, zinxhiri është i gjatë, por nuk shkohet tek rrënja e së keqes”, tha ai.

Gjatë emisionit “Studio e Hapur” janë transmetuar dy intervista ekskluzive. Për herë të parë pas 4 vitesh nga krimi, sot në “Studio e hapur” ka folur nga burgu Shaban Norja, i ashtuquajturi “Monstra i Durrësit”, vrasësi i 18-vjeçares shtatzënë Aishe Vata. Teksa u ndal tek rasti i Shaban Norja, Flutura Açka theksoi se ky sot nuk është rasti të dëgjohet ky njeri, pasi duhet një tjetër zë i ndërgjegjes. Ajo shtoi se duhet të bëhet një pakt ndërkombëtar; të heshtet. “Ky njeri bëri më parë seks, e më pas ia hoqi kokën. Sot nuk është rasti të dëgjojmë këtë njeri. Pasi duhet të dëgjojmë një zë tjetër ndërgjegje. Të paktën të bëjmë një pakt ndërkombëtar, të heshtim. Dhunë parlamentare, dhunë trafiku, dhunë për radhën. Vetëm dhunë.”, tha Açka.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb