Nuredin Dumani dyshohet të jetë autor i një tjetër vrasjeje, i asaj të Emiljano Ramazanit më 21 korrik të këtij viti në Elbasani.

Dumani ishte në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës pak kohë më parë teksa u zbulua se ishte po ashtu autor i vrasjes së vëllezërve Besmir e Viktor Haxhiaj, në Durrës, teksa tek kjo e fundit ka ndihmuar pikërisht Talo Çelën t’i vrasë.

BalkanWeb mëson se janë krahasuar disa orë të pamjeve filmike të vrasjeve në Durrës e Elbasan dhe tashmë ka dyshime të forta se Nuredin Dumani është i përfshirë dhe tek vrasja e Emiljano Ramazanit.

Si Policia ra në gjurmët e tij?

Pikërisht arma e autorit të vrasjes së Emiljano Ramazanit u gjet në një servis në Peqin, dhe madje pronarët e servisit Albert dhe Seit Manahasa u arrestuan.

Kjo armë dyshohet se është përdodur për vrasje me pagesë dhe ka qenë Klevis Kapllanaj, bashkëpuntori i Nuredin Dumanit në vrasjen e Emiljano Ramazanit që e ka fshehur në këtë servis.

Tashmë si Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani, ky i fundit u vra në Rrogozhinë në shtator të këtij viti dyshohen si autorë të vrasjes së Emiljano Ramazanit në korrik.

KRONOLOGJIA E VRASJEVE SERI

27 prill 2020– Vriten në Durrës me breshëri prej 55 plumbash dy vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhiaj, pronarë të disa bizneseve. Ata ishin duke udhëtuar në një automjet tip GOLF kur u qëlluan. Autorët u larguan menjëherë teksa dyshohet se autor i kësaj vrasje ka qenë Talo Çela, i shumëkërkuari i bandës së grabitjes së Rinasit. U hodhën dyshime se vëllezërit Haxhiaj u ishin dhënë disa nga miliona eurot e grabitura prillin e 2019 në Rinas dhe Besmir e Viktor Haxhiaj nuk po i kthenin. Deri më tani për këtë vrasje janë arrestuar një 22-vjeçar K.A, dhe Altin Ndoci. Së fundmi ka dalë në pistë emri i Talo Çelës që dyshohet se së bashku me bashkëpuntorin e tij Nuredin Dumani arritën të eleminojnë dy vëllezërit.

20 korrik 2020- Emiljano Ramazani vritet në Elbasan. Dyshohet se atentati ndaj tij erdhi për shkak të pazareve të drogës apo dijenisë që kishte ai për shumë ngjarje kriminale në qytet. Autori i maskuar e qëlloi 5 herë, dyshohet me pagesë. Ai u qëllua pranë banesës së tij teksa ishte në makinë.

29 korrik 2020- Vritet në Elbasan edhe miku i Emiljano Ramazanit, Regis Runaj i cili u qëllua rreth 20 herë me thikë.

15 shtator 2020- Klevis Kapllani, mik i Nuredin Dumanit vritet brenda makinës në Rrogozhinë. Ai ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali. Dyshohet se ai dhe Dumani vranë Emiljano Ramazanin.

17 shtator 2020- Në orët e para të mëngjesit ekzekutohet në një lokal në Bradashesh vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, taksist i palicencuar pa asnjë rekord kriminal. Dyshohet se vrasja e tij ishte shenjë hakmarrje për të vëllain. Në pistë del emri i Erion Alibej, vëllai i Endrit Alibej që u ekzekutua bashkë me xhaxhain e tij në dhjetor të 2018 po në Bradashesh. Alibej dyshohet se porositi dhe organizoi vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Bujar Çelës. U arrestua 2 ditë pas vrasjes së këtij të fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb