Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burg Enedjo Gurin, i cili rreth një vit më parë vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, 14-vjeçarin Erald Xhejo, në fshatin Pirg të Maliqit. Vendimi është dhënë më 9 shtator nga trupa gjykuese e Gjykatës së Korçës, e cila pas shqyrtimit të provave të administruara në dosjen penale e shpalli Gurin fajtor për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Për këtë ngjarje janë dënuar edhe persona të tjerë. Roland Guri, xhaxhai i Enedjos, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa Flori Çela është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, pasi ndihmoi autorin të largohej me automjet pas ngjarjes. Ndërkohë, babai i Enedjo Gurit është shpallur i pafajshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht 2025, pas një konflikti mes dy të miturve, që dyshohet se lidhej me një sherr të mëparshëm.
Pamjet filmike të administruara në dosjen hetimore kanë dokumentuar momentet e përplasjes. Në video, Enedjo Guri shihet duke ndjekur viktimën me një thikë në dorë, ndërsa 14-vjeçari Xhejo përpiqet të mbrohet. Gjatë përleshjes, 14-vjeçari u godit me thikë në kraharor. Plaga rezultoi fatale dhe Erald Xhejo humbi jetën. Enedjo Guri ndodhet aktualisht i izoluar në Institutin e të Miturve në Kavajë, ku pritet të vuajë edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës.
